Situata e luftës në Ukrainë sa vjen e tensionohet më shumë, e ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka parashikuar se në Ukrainë do të ketë masakër të tjera si ajo e Buchas, duke theksuar se askush nuk duhet të ketë iluzionin se objektivat e Kremlinit kanë ndryshuar, pavarësisht tërheqjes së forcave ruse nga veriu i Ukrainës. Po ashtu edhe zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se Ukraina “absolutisht” mund të fitojë luftën kundër Rusisë.
Më shumë se 400 njerëz janë të zhdukur nga qyteti i Hostomel, thotë një zyrtar lokal, teksa qyteti mbajti peshën kryesore të përparimeve ruse në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, së bashku me Bucha dhe Irpin.
Edhe Papa Françesku e ka dënuar masakrën e civilëve në qytetin ukrainas të Bucha, të cilën Rusia vazhdon ta mohojë. Ndërsa presidenti rus tha se sanksionet janë çmimi që vendi i tij duhet të paguajë për lirinë, forcat ruse po përpiqen të rrethojnë forcat ukrainase për të marrë kontrollin e të gjithë Donbasit, i cili përbëhet nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut.
Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA lëshuan të dyja një ngrirje aktive ndaj Sberbank, banka më e madhe e Rusisë. Më tej udhëheqësit e Bashkimit Evropian po diskutojnë se çfarë masash të mëtejshme mund të vendosin ndaj Rusisë për të dëmtuar përpjekjet e saj të luftës. Propozimet përfshijnë një ndalim të importit të qymyrit rus por disa liderë të lartë thonë se nafta dhe gazi gjithashtu duhet të ndalohen. Kryebashkiaku i Mariupolit Vadim Boychenko tha se më shumë se 90% e infrastrukturës së qytetit është shkatërruar nga Rusia dhe se të paktën 40% e saj “nuk është më e rikuperueshme”.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë sot nëse do të pezullojë Rusinë nga organi i të drejtave të njeriut.