TIRANË– Shqipëria do të legalizojë kanabisin për qëllime mjekësore! Kjo tashmë është fakt, ka thënë kryeministri Edi Rama, pasi në Formularin e Këshillimit Kombëtar, 61% e qytetarëve kanë votuar “pro”. Në prezantimin e përgjigjeve të këtij formulari, Rama tha se kjo do të ndikojë në rritjen ekonomike të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Do të legalizojmë kanabisin dhe do hapim një front të ri pune dhe rritje ekonomike, përveç rritjes së aspektit teknologjik, ç’ka kanë thënë qytetarët, do të realizohet”, tha Rama.
Në formularin e Këshillimit, qytetarët u pyetën: Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa legalizuar për arsye të përdorimit vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore, ju si mendoni? Kësaj pyetje, 308.992 janë pozitivisht, 148.092 kanë votuar jo, dhe 51.051 nuk e di, ose e thënë me %, 61% pro, 29% kundër dhe 10% nuk e di.