Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë deklaruar se Rusia ka kryer një gabim strategjik duke pushtuar Ukrainën, teksa Finlanda dhe Suedia po mendojnë seriozisht për t’iu bashkuar NATO-s, madje që verën e këtij viti.
Sipas zyrtarëve, anëtarësimi në NATO për të dy vendet nordike ishte një ndër temat e diskutuara gjatë takimit midis Ministrave të Jashtëm të aleancës javën e kaluar, ku morën pjesë Suedia dhe Finlanda, shkruan The Times.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka mobilizuar NATO-n, megjithatë Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg ka deklaruar se nuk do të ndërhyhet ushtarakisht në këtë konflikt. Konflikti Rusi-Ukrainë nisi në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, kur Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi se kishte urdhëruar fillimin e një operacioni ushtarak në drejtim të vendit fqinj. Në ditën e 47-të, ende vijojnë luftimet midis ushtrive të të dy shteteve, teksa Bashkimi Europian ka ndërmarrë një sërë sanksionesh ndaj Rusisë, ku së fundmi u miratua embargoja ndaj naftës dhe qymyrit rus.