Jennifer Lopez ka vendosur të flasë! Pasi bëri xhiron e mediave për lajmin e fesjesës, ajo është rrëfyer për momentin e propozimit. Dhe nëse ishit kuriozë të dinit se çfarë vendi dhe momenti zgjodhi Ben për t’i bërë pyetjen e madhe, duam t’ju themi të mos shkoni shumë larg me imagjinatën. J.Lo ka treguar se ishte duke bërë një banjë me flluska kur Ben Affleck i propozoi për martesë.
“Të shtunën në mbrëmje, ndërsa isha në vendin tim të preferuar (në banjën me flluska), dashuria ime e bukur u gjunjëzua dhe më propozoi për martesë”, shkroi këngëtarja përmes buletinit të saj “On The JLo”.
Lopez pranoi se ajo u kap tërësisht e papërgatitur në këtë moment.
“[Unë] thjesht shikoja në sytë e tij duke buzëqeshur dhe duke qarë në të njëjtën kohë, duke u përpjekur fort për të kuptuar se pas 20 vitesh kjo po ndodhte përsëri,” shpjegoi ajo. “Isha totalisht pa fjalë dhe ai tha, ‘A është kjo një po?’ Unë thashë ‘PO sigurisht që është një PO’.”
Lopez tha se thjeshtësia e gjithë kësaj e bëri momentin shumë më romantik.
“Isha duke buzëqeshur aq shumë dhe lotët më rridhnin në fytyrë, duke u ndjerë tepër e lumtur dhe e plotësuar. Nuk ishte asgjë e zbukuruar, por ishte gjëja më romantike që mund të kisha imagjinuar ndonjëherë”, tha ajo. “Vetëm një natë e qetë e së shtunës në shtëpi, dy njerëz që premtojnë se do të jenë gjithmonë aty për njëri-tjetrin. Dy njerëz shumë me fat, të cilët morën një shans të dytë për dashurinë e vërtetë.”
Në një video që shoqëronte shkrimin, Lopez tregoi se propozimi ishte “krejt i papritur”.
“Jam fejuar! Ishte krejtësisht e papritur. Dashuria ime hyri, Beni hyri dhe u ul në njërin gju dhe tha disa gjëra që nuk do t’i harroj kurrë dhe nxori një unazë dhe tha: “A do të martohesh me mua?” Dhe ishte momenti më i përsosur,” rrëfeu ajo.
Ajo theksoi edhe rëndësinë e diamantit jeshil në unazën e saj të fejesës, duke shpjeguar se ngjyra ka qenë gjithmonë “fat” për të.
“Ai më jep një unazë dhe thotë se është një diamant jeshil. [Jeshilja është] ngjyra ime e preferuar, është gjithashtu ngjyra ime me fat”, tha ajo në video. “Natyrisht që do të jetë ngjyra ime me fat përgjithmonë tani. Do të thotë shumë kur dikush mendon për ty, të do dhe të sheh. Dhe ishte momenti më i përsosur. Ndihem shumë me fat. Nuk ndodh shpesh që të kesh një shans të dytë për dashurinë e vërtetë.”
Lopez dhe Affleck rindezën dashurinë e tyre në prill 2021. Më pas të dy bënë debutimin e tyre në tapetin e kuq si çift (përsëri) në Festivalin e Filmit të Venecias, në shtator të atij viti.