Në Departamentin Amerikan të Shtetit çështja e ndarjes nga e kaluara në rajonin e Ballkanit, duke pasur si shembull gjithmonë Sali Berishën është një prioritet. I dërguari special për Ballkanin nga DASH, Gabriel Escobar, edhe në një intervistë për mediat greke e ka quajtur “të trishtë” situatën në të cilën është përfshirë së fundmi Partia Demokratike.
Teksa ka folur për ‘To Vvima’, Escobar, tha se PD-ja, por edhe populli shqiptar duhet të refuzojnë të shkuarën (referuar Berishës), në mënyrë që të mos rikthehen “ditët e këqija”.
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me PD-në. Një demokraci e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Është e trishtueshme ajo që ndodh me PD-në aktualisht. Shpresoj që anëtarët e PD-së dhe populli shqiptar të refuzojnë të kaluarën dhe të shikojnë nga e ardhmja. Shpresoj që ajo që ndodhi të mos rikthejë ditët e këqija, kur korrupsioni karakterizonte pikëpamjen e shumë njerëzve në rajon për Shqipërinë”, ka thënë Escobar.