Qeveria e Kosovës me një vendim të posaçëm dje ndaloi përkohësisht eksportin e disa produkteve ushqimore në vende të rajonit dhe më gjerë.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, nga totali i importeve të ushqimeve, 2.4% i marrim nga tregjet e Kosovës.
Në vitin 2021, Shqipëria importoi 130 miliardë lekë ushqime dhe pije në total, ndërsa importet e këtij grupi nga Kosova ishin 3 miliardë lekë, ose 2.4%.
Gjysma e importeve të ushqimeve nga Kosova ishin në formën e pijeve, kryesisht birra e cila nuk është e sanksionuar nga vendimi i qeverisë së Kosovës.
Pjesa tjetër përbëhet nga mielli, bulmeti dhe ushqimet të tjera me vlerë të përbashkët rreth 1 miliard lekë me 2021. Pjesa e ushqimeve në sanksione zë më pak se 1% të totalit të importit të ushqimeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha dje në mbledhjen e Qeverisë se qëllimi i këtij vendimi është që të sigurohet furnizimi i qytetarëve me produkte si gruri, misri, mielli, vaji ushqimor, etj.
Eksporti i mallrave “Made in Kosova” në muajin shkurt, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kishte vlerën 65.2 milionë eurove, ndërsa importi vlerën e 414.7 milionë eurove.
Në vitin 2021, Shqipëria importoi 130 miliardë lekë (1,06 miliardë) euro ushqime nga jashtë për të plotësuar nevojat e konsumit të brendshëm.
Ndërsa eksportoi në të njëjtin vit vetëm 44 miliardë lekë (361 milionë euro), sipas të dhënave të INSTAT. importet ishin tre herë më të larta se eksportet duke bërë vendin tonë një importues neto të produkteve ushqimore me varësi totale nga tregjet e jashtme.
Kjo varësi e lartë ndodh edhe pse sektori bujqësor është më i madhi në ekonominë e vendit tonë me rreth 20.8% të Vlerës së Shtuar Bruto (2020), niveli më i lartë në Europë, sipas një krahasimi të bërë nga Eurostat. Edhe në Ukrainë, e cila është në top eksportuesit më të mëdhenj global me drithëra dhe ushqime të shportës, bujqësia zë vetëm 9 për qind të ekonomisë.
Shqipëria ka sektorin bujqësor me madhësi gati tre herë më të lartë se mesatarja rajonale, por nga ana tjetër ka varësinë më të lartë në importe nga vendete e tjera të Rajonit.
Edhe pse ka klimë të përshtatshme dhe burimet ujore të favorshme për kulturat bujqësore, prodhimet shqiptare nuk janë konkurruese pasi qeveria jep nivelin më të ulët të subvencioneve për sektorin në krahasim me rajonin dhe Europën dhe mungon ekonomia e shkallës nga copëzimi i sipërfaqeve.
Për këtë arsye dy dekadat e fundit fermerët braktisën kultivimin e grurit dhe misrit, pasi kostoja e prodhimit ishte më e larte se çmimi me pakicë të produkteve të importit në tregjet e pakicës. Nga 130 miliardë lekë që ishin importet e ushqimeve në total në vitin 2021, mbi 12 miliardë lekë (10%) ishin importet e grurit.
Duke iu referuar të dhënave të INSTAT mbi importet ndër vite, pesha e importeve të ushqimeve ndaj totalit të importeve është 11.4%./B.Hoxha
Marrë nga Monitor.al