Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se strategjia e testimit vlerësohet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Gjatë një komunikimi me gazetarët, ajo u shpreh se në raport me testimet, objektivi është që qytetarët të marrin përgjigje nga 24 orë deri në 72 orë.
Ministrja garantoi se asnjë qytetar i prekur nga Covid nuk do të mbetet pa u trajtuar dhe kuruar.
“Ashtu sikurse ne e kemi thënë gjatë kësaj periudhë strategjia e testimit në raport me qëllimin kryesor që ka testimi që është kufizimi i përhapjes së virusit është vlerësuar dhe vlerësohet nga komiteti teknik i ekspertëve.
Sa i përket pyetjes nëse do të ketë një vonesë në raport me kthimin e përgjigjes gjë e cila duhet ta themi dhe besoj që e keni mirëkuptuar momentin e javëve më parë ku ka patur një rritje të numrit të testimeve, e cila tashmë është tejkaluar si problematikë.
Ne jemi të vendosur për kthimin e përgjigjeve nga 24 orë deri në 72 orë. Objektivi është që të kemi një kohë sa më të shpejtë në marrinë e kësaj analize.
Por asnjë qytetar nuk do të mbetet pa trajtuar dhe kuruar. Sepse kjo paketë që miratoi qeveria që është një paketë e orientuar për të disiplinuar terapitë për covid dhe është mjeku që përcakton nëse ke nevojë të marrësh klasat e medikamenteve”, u shpreh Manastirliu.