Presidenti Ilir Meta ka gjetur “fajtorët” për shpopullimin e vendit, duke cilësuar si përgjegjës ‘Rilindjen” lokale dhe ndërkombëtare.
Në një kohë kur procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri kanë nisur, Meta po “studion” shifrat e INSTAT. Sipas tij 50 mijë qytetarë largohen çdo vit nga vendi ynë, ndërsa ngriti “alarmin e kuq” për ndërprerjen e zbrazjes katastrofike të Shqipërisë siç e quajti. Akuzat e Metës për këtë shkretim nuk bien vetëm mbi qeverinë siç jemi mësuar ta dëgjojmë, por tashmë i ka kaluar kufijtë, duke bërë fajtor edhe ndërkombëtarët.
“Treguesit demografikë të INSTAT, dëshmojnë për zbrazjen katastrofike të vendit. Shqipëria ka në vit 50 mijë qytetarë më pak edhe përtej edhe skenarit më negativ të parashikueshmërisë së zvogëlimit demografik. Thënë ndryshe çdo vit fshihet nga harta popullsia e një qyteti mesatar. Ky është një alarm i kuq për ndaljen sa më parë dhe me çdo kusht të këtij shterrimi asgjësues të popullit.
Ky model “zhvillimi” nuk është gjë tjetër veçse model dëshpërimi dhe asgjësimi. Koha për të ndalur këtë shkretim, të programuar të vendit nga “Rilindja” lokale dhe ndërkombëtare.”, tha ai.