Pastrimi i parave të krimit të organizuar është një problem në Shqipëri. Këtë tha edhe raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit. Ngritja e Prokurorisë së Posaçme, e cila në fokus të punës së saj ka pasurinë e krimit të organizuar dhe zyrtarëve të korruptuar synon të luftojë këtë fenomen.
Por, tre vite nga ngritja e kësaj strukture, bilanci që ka bërë vetë SPAK për konfiskimin e pasurive është lehtësisht i matshëm. Vitin që lamë kanë kaluar në pronësi të shtetit 4 apartamente, 2 lokale, 1 pulari, 22 mijë metra katrorë tokë dhe një njësi shërbimi me bar-restorant, hotel me 4 kate.
Rreth 45 milionë lekë janë konfiskuar në valuta të ndryshme thuhet ne raportin e SPAK për vitin 2021. Janë konfiskuar edhe pasuri të luajtshme ku janë 15 automjete, 64 celularë, 10 laptop si dhe orë apo bizhuteri.
Gjatë vitit 2021, SPAK ka sekuestruar disa pasuri të tjera dhe rreth 19 milionë euro në disa llogari bankare. Por, sekuestrimi i këtyre pasurive është në proces gjyqësor ku do vendoset për konfiskimin apo jo nga shteti. SPAK i kushton buxhetit 5 milionë dollarë në vit ku rreth 78% e kësaj shume shkon për paga dhe siguracione të prokurorëve dhe administratës.