Rusia ka filluar ofensivën në Donbas me forca të mëdha ushtarake. Wolfgang Richter, ekspert gjerman i Fondacionit Shkenca dhe Politika shpjegon, se çfarë do të thotë kjo për rrjedhën e mëtejshme të luftës.
Deutsche Welle: Zoti Richter, çfarë objektivash po ndjek Rusia me ofensivën në Donbas?
Wolfgang Richter: Faza e parë e luftës nuk eci mirë për Rusinë. Ajo që ishte planifikuar, pra një ndryshim qeverie, një përparim i shpejtë në zonën qeveritare në Kiev nuk u arrit. Në vend të kësaj pati humbje të mëdha. Mund të mendohet, se deri një e treta e trupave tokësore që ishin në luftë nuk janë më të afta për luftë. Ndoshta sepse nuk ishte menduar një rezistencë kaq e fortë, dhe që ukrainasit do të luftonin me kaq homogjenitet.
Tani po nxirren mësime prej kësaj. Rusia ka vendosur për një kryekomandë qendrore për operacionet në Lindje, që paraqitet si faza e dytë. Që do të thotë se trupat po përqëndrohen për një qëllim ndoshta të realizueshëm vërtet, marrjen e zonave kufitare të Luhanskut dhe Donjeckut e ndoshta edhe më tej. Rusia po përqëndron aty tani të gjithë trupat që kishte në Ukrainë. Po ashtu ata kanë zgjedhur edhe një territor që është i përshtatshëm për operacione me tanke. Zona në jug të Kharkivit, mes Isjumit dhe Luhanksut është një zonë e sheshtë, e hapur dhe me pak pengesa. Që do të thotë, se në sulmin e parë trupat ruse vërtet mund të fitojnë territore. Por Ukraina ka mjete kundër kësaj. Edhe ata kanë grumbulluar forca aty. Nga ana taktike ata kanë vepruar me mençuri, me kundërsulme nga krahët e këtyre forcave dhe kundër linjave logjistike lidhëse të ushtrisë.
A ka Rusia fuqi të mjaftueshme ushtarake për këtë ofensivë?
Deri tani kisha mendimin, se forcat ruse janë përhapur shumë nga ana strategjike, sepse gati dy të tretat e trupave tokësore që kanë në përdorim ishin vendosur në luftë në Ukrainë. Që do të thotë, që ata nuk mund të aktivizojnë shumë shpejt rezerva, sepse ka shumë pika të tjera të rëndësishme e me potencial konflikti që Rusia duhet t’i mbulojë. Kjo fillon që në veri në Murmansk. Aty është një pikë e rëndësishme mbështetëse për flotën nukleare që ruan ekuilibrin ushtarak me SHBA. Pastaj bëhet fjalë edhe për kufijtë që janë me vende të NATO-s, sidomos me vendet baltike. Pastaj më poshtë deri në Detin e Zi. Edhe në Kaukaz ka rajone, ku prej shumë vitesh kanë vazhduar konfliktet. Azia Qendrore është një pikë e rëndësishme, sepse aty duhet të luftohet kundër terrorizmit islamist. Edhe në Lindjen e Largët nuk duhet të harrojmë që Japonia madje shfrytëzoi momentin dhe ka kërkuar rikthimin e Kurileve jugore. Ende nuk kemi folur për kufirin shumë të gjatë ruso-kinez. Të gjitha këto duhet mbajtur parasysh.
Si Ukraina edhe Rusia janë të mendimit, se përfundimi i ofensivës në Donbas mund të influencojë përfundimin e luftës në tërësi. A mendoni edhe ju kështu?
Po, mendoj se tani hyjmë në një fazë vendimtare. Për palën ruse, besoj unë, është një fazë vendimtare, sepse nëse kjo nuk çon në një sukses ushtarak, atëherë vendi ka shumë pak rezerva që mund të aktivizohen. Nuk sjell gjë të mobilizosh rekrutë me pagë, flas këtu për trupat Wagner, për sirianë apo çeçenë. Ata mund të bëjnë vërtet një luftë subversive, por jo një betejë të koordinuar nga toka, ajri e me artileri. Për këtë duhet të kesh profesionalizëm ushtarak dhe komandën e duhur.
Nga pikëpamja ukrainase është e kundërta. Tani bëhet fjalë të mbahet lart rezistenca me qëllim që Ukraina të vazhdojë të ekzistojë si shtet sovran. Dhe që vendi të ketë një bazë sa më të mirë të mundshme për negociata. Për momentin nuk ka vullnet nga dyja palët, por sidomos nga pala ruse që të negociohet seriozisht. Por kur të detyron gjendja ushtarake, atëherë ka më shumë mundësi për kompromis. Pra do të vendoset në fushën e luftës, nëse do ketë gatishmëri për negociata të arsyeshme dhe vërtet serioze.
Cilat janë objektivat e ushtrisë ukrainase kundër kësaj ofensive ruse?
Ushtria ukrainase duhet të përpiqet të pengojë që të mos rrethohet. Sepse shohim këtu tentativa, që vijnë nga jugu në drejtim të Saporishjas, nga veriu në drejtim të Kharkivit. Nëse këto përpjekje bashkohen në Dnipro, atëherë ushtria ukrainase që është tani në Donbas do të ishte e rrethuar. Këtë ata duhet të pengojnë, duhet të mbajnë të mbrojtura krahët e forcave. Po ashtu ata duhet të pengojnë që të arrihen suksese të para me rëndësi në këtë ofensivë, që të mos të jenë të detyruar të dorëzojnë shumë rajone, që me gjasë nuk mund të rimerren më përmes negociatave. Edhe për palën ukrainase është esenciale çështja: në çfarë forme do të mund të ekzistojë në të ardhmen Ukraina si shtet sovran me integritet territorial? Kjo do të vendoset në këtë betejë të madhe që zhvillohet në një gjerësi prej 450 deri në 500 kilometra. Ndoshta ne do të shohim pamje që do të na kujtojnë Luftën e Dytë Botërore, ndryshe nga ajo që kemi parë deri tani në Europë.
Ukraina po merr armë të rënda nga perëndimi. A mjaftojnë ato?
Ukrainasit mund të përdorin menjëherë armët që njohin, dhe për të cilat kanë edhe logjistikën e përshtatshme, pjesë këmbimi, riparim, por edhe municionin e përshtatshëm. Diskutimi në Gjermani për një duzinë tankesh është shumë i ekzagjeruar, sepse shpesh harrohet, që në këtë pikë duhen bërë trajnime, që këto tanke duhet të jenë në gjendje të mirë, për të cilën do duhet javë dhe se duhen ngritur vija logjistike dhe duhen trajnuar ukrainasit. Ky është proces i gjatë e për këtë betejë është vonë. Prandaj mendoj se është më mirë një këmbim. Vendet e NATO-s në lindje që kanë ende këto armë nga kohët e dikurshme t’i japin ato, si ka ndodhur në disa raste. Dhe këto boshllëqe pastaj mund të mbushen me armë gjermane.
Do të thotë kjo, se armët që merr Ukraina edhe nuk mund të mjaftojnë?
Nuk them, se nuk mjaftojnë. Ukrainasit nuk duhen nënvlerësuar. Që para fillimit të ofensivës ruse, ata kishin ushtrinë e dytë më të fortë në Europë, po të lesh mënjanë Turqinë. Më shumë se 250.000 ushtarë dhe më shumë se 1000 tanke. Kjo është një ushtri shumë e fortë. Tani duket se Rusia po përqendrohet tek Donbasi, sepse thjesht nuk ia del dot me të gjithë Ukrainën. E kjo do jetë kështu edhe në të ardhmen. Pyetja që shtrohet është për çfarë mjaftojnë. Për Donbasin, për dy zonat për të cilat bëhet fjalë apo për një hapësirë më të madhe që shkon deri në Dnipro? Kjo varet nga rezultati i këtyre luftimeve, që do të zhvillojnë ukrainasit dhe rusët. Morali flet për ukrainasit. Masa e trupave që janë bashkuar tani flet për Rusinë. Por kjo nuk është vetëm një çështje shifrash. Ka të bëjë edhe me atë se si mund të zhvillosh një betejë të koordonuar dhe sa të motivuar janë ushtarët.
Bisedën e zhvilloi Marina Baranovska
Ish-Koloneli Wolfgang Richter është studiues në Fondacionin Shkenca dhe Politika, SWP. Pikërëndesat e punës së tij janë problematikat e bashkëpunimit paneuropian të sigurisë, marrëdhënia NATO-Rusi, konfliktet e pazgjidhura territoriale në Europë, roli i OSBE për parandalimin e konfliktit dhe kontributi i kontrollit të armatimeve për stabilitetin europian./DW