Sali Berisha kërkoi sot heqjen e menjëhershme të bordeve të qeverisë që caktojnë çmimet për produkte të ndryshme, duke i cilësuar ato praktika tipike të diktaturave.
Nga një konfererencë për mediat nga selia e PD-së, Berisha deklaroi se bordet përligjin spekulimet dhe krijojnë mundësi për abuzime. Ai mori shembullin e vitit 1992 kur çmimi i bukës u rrit me 15-fish, duke theksuar se kjo nuk krijoi asnjë problem për shkak të kompensimit nga qeveria.
“Po shkohet drejt mungesës së ushqimeve në familjet e zakonshme shqiptare, Bordet e krijuara nga qeveria janë forma të vjetra që të kujtojnë kohërat e diktaturave. Nuk mund të ketë bord për rregullimin e çmimit të ushqimeve.
Qeveria ka mundësitë dhe mënyrat kur ajo nuk është frymëzuese e spekulimit, të godasë spekulimin aty ku lind. Qeveria është e detyruar të zbatojë praktika transparente dhe të mbrojë popullatën nga ky agresion i rritjes së çmimeve. Bordet veç sa përligjin spekulimet dhe krijojnë mundësi për spekulime. Anulimi i bordeve përveç entit të energjisë që është institucion konstant, është kusht për marrjen e masave të cilat janë fare të thjeshta.
Qeveria kompenson një për një rritjen e çmimit të produkteve të shportës. Kjo praktikë është ndjekur në të gjitha kohërat për ata që zbatojnë tregun dhe rregullat e tij. Rritja me 15-fish e çmimit të bukës në vitin 92 nuk krijoi asnjë problem sepse u kompensua për çdo qindarkë nga qeveria”, u shpreh Berisha.