Emannuel Macron mbajti fjalimin e tij të fitores për një mandat të dytë si President i Francës në një podium pranë Kullës Eiffel. Ai mbërriti i shoqëruar nga gruaja e tij Brigitte, nën tingujt e himnit evropian (Beethoven’s Ode to Joy).
Fillimisht ai ndaloi dhe përshëndeti mbështetësit duke u shtrënguar duart. Në fjalën e tij ai falënderoi popullin francez dhe ata që e mbështetën.
“Shumica prej nesh kanë zgjedhur të më besojnë mua” – tha Macron teksa mbështetësit thërrisnin: “Edhe një, edhe dy, dhe pesë vjet të tjera”.
Presidenti tha se është i vetëdijshëm që shumë e votuan për të bllokuar të djathtën ekstreme. Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij që mos i shajnë ata që votuan kundërshtaren e tij, Marine Le Pen.
“Që tani e tutje, unë nuk jam më kandidat i një kampi, por president i të gjithëve. Unë u them atyre që votuan për të djathtën ekstreme se përgjegjësia ime dhe e ekipit tim do të jetë të adresoj shqetësimet e tyre”, – tha Macron.
“Unë do të punoj për një shoqëri më të drejtë dhe barazi mes burrave dhe grave. Ne duhet të tregojmë respekt sepse vendi ynë është kaq i ndarë… askush nuk do të lihet anash”, – shtoi ai.
Macron tha gjithashtu se “kjo epokë e re nuk do të vazhdojë me metodat e 5 viteve të fundit”.
“Lufta e Ukrainës tregon se ne po jetojmë kohë tragjike” – tha ai duke shtuar se “Franca duhet të ndërtojë forcat e saj”. Ai e mbylli fjalën duke thënë se është krenar që i shërben sërish popullit francez.