Shqipëria do të ‘mikpresë’ botën, teksa sot nis cikli i Javëve Ndërkombëtare të Kulturës. Në një konferencë, Rama tha se synimi është që kjo të kthehet në një traditë të përvitshme, teksa thekson se është mundësi për të shpalosur tradita e kultura të ndryshme. Kjo javë do të jetë e Francës, për të vijuar më pas edhe me vendet e tjera, teksa do të mbyllet në nëntor me Kosovën. kryeministri theksoi se është një program për të gjitha grupmoshat në vend, që do të gjejnë arsye për ta frekuentuar.
“Këtë javë ne synojmë të jetë një traditë e përvitshme për të shpalosur tradita, kultura të ndryshme, për të shpalosur forma dhe shprehje nga më të larmishmet të aktivitetit të çdo qytetërimi dhe për të krijuar hapësira të reja të ndërveprimit me kulturat e tjera, por dhe argëtimit të qytetarëve apo edhe të vizitorëve dhe turistëve që mund të gjenden në vendin tonë. Si viti i parë që nis ky program, është i gjithi në një fazë nisje që do pasurohet në vitet e ardhshme, është një eksperiencë ere prej të cilës do mësojmë e do kuptojmë më shumë. Fillojmë me javën e Francës dhe më pas vijojmë nëpërmjet një kalendari. Disa prej vendeve të përfshira janë të angazhuara prej kohësh në angazhimin e javëve të tyre kulturore, por ky angazhim i përbashkët i bën shumë më të aksesueshme për publikun. Do përfshihen aktivitet më popullore, aktivitete në rrugë, tradita e gatimit të vendeve të tjera. Është program që ne synojmë të jetë një program ku të gjitha moshat të mund të gjejnë arsye për t’i frekuentuar. Program ku ne synojmë të ketë hapësirë që nga moshat e reja, deri te pensionistët. Qëllimi i këtij programi është ta shtrijë këtë komunikim dhe këtë përzierje në të gjithë hartën e Shqipërisë, por kuptohet hap pas hapi sepse edhe palët e angazhuara kanë nevojë që të shohin hap pas hapi ecurinë e programit dhe më pas disa shkëndija shumë të vogla të një shpirti konkurrence mes vendesh që i kemi vënë re që tani, do të kthehen në konkurrencë të zjarrtë në vijim”, tha Rama.