Twitter thuhet se po i afrohet një marrëveshjeje për t’u shitur tek Elon Musk, 11 ditë pasi CEO i Tesla dhe SpaceX tronditi industrinë duke u ofruar për të blerë kompaninë. Një marrëveshje mund të finalizohet shumë shpejt, sipas Wall Street Journal.
Megjithatë, Twitter nuk pranoi të komentojë mbi raportet.
Musk zbuloi javën e kaluar se ofronte 46.5 miliardë dollarë për të blerë kompaninë. Bordi i Twitter u mblodh të dielën për të vlerësuar ofertën e Musk për të blerë të gjitha aksionet e kompanisë, konfirmoi për CNN një burim i njohur me marrëveshjen. Burimi tha se diskutimet rreth ofertës së Musk janë bërë serioze.
Nëse miratohet marrëveshja, njeriu më i pasur në botë do ta vendoset në krye të një prej platformave më me ndikim të mediave sociale në botë.
Musk ka theksuar vazhdimisht ditët e fundit se qëllimi i tij është të forcojë fjalën e lirë në platformë dhe të punojë për të “zhbllokuar potencialin e jashtëzakonshëm” të Twitter.