MALI I ZI- Për herë të parë një shqiptar është në krye të qeverisë së Malit të Zi. Dritan Abazoviç u zgjodh sot kryeministër me 45 vota pro, ndërsa kundër votuan vetëm deputetët socialdemokrat. Nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, tre drejtohen nga shqiptarë. Abazoviç ka festuar me këngë shqiptare, ndërsa nuk kanë munguar as urimet nga politika shqiptare.
Shumica e re parlamentare, e cila votoi për Qeverinë, më herët zgjodhi Danijela Gjuroviqin për kryetare të Parlamentit, e cila zhbllokoi punën e legjislativit pas gati tre muajsh. Për zgjedhjen e Qeverisë votuan 45 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në parlamentin malazias, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.
Për kabinetin e Abazoviçit votuan deputetë të partive që përbëjnë Qeverinë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.
Qëllimi i Qeverisë së re është të zhbllokojë procesin e integrimit evropian të Malit të Zi dhe zgjedhjen e pozitave udhëheqëse në Gjyqësor, theksoi kryeministri Abazoviç. Në seancë nuk morën pjesë deputetë nga Fronti Demokratik Pro-Serb dhe Demokratët, të cilët kundërshtojnë fuqishëm Qeverinë e pakicës të mbështetur nga DPS-ja.
Këto parti, së bashku me lëvizjen URA të Abazoviçit dhe SNP-në, kanë qenë në pushtet që nga zgjedhjet e gushtit 2020, kur pas tri dekadash e zhvendosën DPS-në në opozitë. Një vit e gjysmë pas zgjedhjeve, për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ajo shumicë parlamentare u shpërbë dhe anëtari më i vogël i saj, partia URA e Abazoviçit, hyri në procesin e formimit të një qeverie të pakicës me mbështetjen e DPS-së së Gjukanoviçit. Prandaj, Fronti Demokratik dhe Demokratët e akuzojnë Abazoviçin se ka tradhtuar vullnetin elektoral të qytetarëve dhe kërkojnë zgjedhje të reja.
Abazoviç tha në fjalimin e tij të enjten se ai dëshiron të bashkojë fraksionet kundërshtare të Malit të Zi nën një vizion të “një kombi demokratik, pa korrupsion dhe ekonomikisht të begatë që do të bëhet pjesë e BE-së 27-anëtare”.
“Ne kemi një mundësi përpara nesh që nuk duhet ta humbasim”, tha Abazoviç. “E ardhmja jonë është evropiane”.
Prioritetet e Qeverisë së Abazoviçit
Duke prezantuar programin e Qeverisë, Abazoviç tha se ai do të bazohet në sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa lufta kundër korrupsionit, investimet e qëndrueshme, integrimi në Bashkimin Evropian (BE) dhe mbrojtja e mjedisit do të jenë fushat kryesore të veprimit.
Ai tha, gjithashtu, se me largimin e DPS-së së Gjukanoviçit nga pushteti në zgjedhjet e gushtit 2020, Mali i Zi hyri në një fazë të re zhvillimi, duke deklaruar se qeveria e mëparshme, ekzekutive dhe legjislative, nuk arriti të përmbushte qëllimet e pritura.
“Qeveria e mëparshme dhe Parlamenti nuk arritën të gjenin një gjuhë të përbashkët dhe kjo është një nga arsyet pse reformat e nevojshme politike dhe sociale kanë ngecur për një kohë të gjatë. Zgjidhja e çështjeve të hapura që kanë bllokuar rrugën evropiane të Malit të Zi dhe proceset e tjera reformuese do të jenë fokusi i punës së qeverive të reja”, tha ai.
Prioritetet e politikës së jashtme të Qeverisë
Abazoviç tha se prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi përcaktohen me Kushtetutë dhe theksoi nevojën për të përmirësuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe ruajtjen e besueshmërisë së Malit të Zi në NATO.
“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, të cilin qeveria e mëparshme e ka dënuar tashmë dhe është zotuar të respektojë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, ka shkaktuar zhvillime të trazuara gjeopolitike. Pavarësisht këtyre sfidave dhe gjenerimit të krizave të reja, Malit të Zi i janë hapur perspektiva të reja për t’u anëtarësuar në BE”, tha ai.
Prioritetet e Qeverisë së tij përfshijnë reformën e shërbimit të sigurisë dhe reformën zgjedhore. Ai tha se Qeveria do të punojë në mbrojtjen e standardeve dhe në këtë kontekst edhe rritjen e pensioneve dhe përfitimeve sociale. Instrument kyç për luftën kundër korrupsionit është miratimi i Ligjit për shqyrtimin e prejardhjes së pasurisë, të cilin, siç tha Abazoviç, do ta dorëzojë në Kuvend me procedurë urgjente.
Çështje të diskutueshme
Tri temat për të cilat palët në përbërje të Qeverisë kanë negociuar më së shumti janë regjistrimi i popullsisë, nënshkrimi i Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe iniciativa rajonale Ballkani i Hapur (Open Balkan). Në ekspoze, Abazoviç ka komentuar shkurt për këto tema.
Ai tha se Ligji për regjistrimin e popullsisë është duke u planifikuar në përputhje me standardet evropiane. Kjo çështje shkakton tensione në Mal të Zi, sepse për një pjesë të opinionit politik nuk është çështje statistikore, por çështje të regjistrimit kombëtar dhe fetar. Ndër prioritetet e programit të qeverisë së re është rregullimi i marrëdhënieve kontraktuale me bashkësitë fetare në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi. Me marrëveshjen bazë, shteti i Malit të Zi duhet të saktësojë marrëdhëniet pronësore-juridike me kishën ortodokse serbe.
Edhe pse nuk e ka përmendur konkretisht Ballkanin e Hapur, Abazoviç ka thënë se Qeveria do të merret me shqyrtimin e iniciativave rajonale në kuadër të qëllimit kyç – anëtarësimit më të shpejtë të Malit të Zi në BE. Partitë pro-malazeze janë kundër Iniciativës për Ballkanin e Hapur, e cila e konsideron atë pjesë të projektit të “botës serbe”, qeverisë aktuale në Serbi.
Kush e përbën Qeverinë e pakicës?
Qeveria e pakicës përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA e Abazoviçit, Partia Popullore Socialiste pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Kabineti i ka 18 ministri, 4 zëvendëskryeministra dhe 2 ministra pa portofol. Abazoviçi ka mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.
Ai, po ashtu, ka mbështetjen parlamentare të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit malazez, Millo Gjukanoviç, por pa pjesëmarrjen e saj. Katër pozitat e zëvendëskryeministrave u janë ndarë partive që përbëjnë Qeverinë e re. URA e Abazoviçit udhëheq pesë ministri, përfshirë edhe atë të Punëve të Brendshme, me në krye Filip Axhiçin.
Ministria e Çështjeve Evropiane udhëhiqet nga Jovana Maroviç, e cila është zgjedhur edhe zëvendëskryeministre nga radhët e URA-s. Partia Popullore Socialiste, përveç postit të zëvendëskryeministrit, i cili mbulohet nga kreu i partisë, Vlladimir Jokoviç, udhëheq gjashtë ministri. Jokoviç do të jetë edhe ministër i Bujqësisë. Partia e tij ka marrë edhe udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Financave, të Arsimit, të Shëndetësisë dhe të Sportit. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Rashko Konjeviç është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Nga kjo parti, Ministrinë e Punëve të Jashtme e udhëheq Ranko Krivokapiç, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Kryetari i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviç, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Investimeve Kapitale. Kjo parti udhëheq edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me në krye Admir Adroviçin. Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq, kanë marrë dy poste ministrore. Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është zgjedhur kreu i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, ndërsa ministër i Administratës Publike është Marash Dukaj nga Alternativa Shqiptare.
Iniciativa Qytetare Kroate – subjekt jashtëparlamentar – ka marrë postin e ministrit pa portofol, i cili udhëhiqet nga Adrijan Vuksanoviç. Personalitete jopartiake në kabinetin e Avbazoviçit janë Bilana Shqepanoviç në Ministrinë e Shkencës dhe Masha Vllaoviç në Ministrinë e Kulturës dhe Medias. Zgjedhjes së Qeverisë së re të pakicës i ka paraprirë zgjedhja e kryetares së Kuvendit, Danijella Gjuroviç, nga Partia Popullore Socialiste. Qeveria e re është zgjedhur gati tre muaj pasi Kuvendi i këtij vendi ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç, më 4 shkurt. Tre ditë më vonë, më 7 shkurt, është shkarkuar edhe kryetari i Kuvendit, Alleksa Beçiç, udhëheqës i Demokratëve.
Qeveria e Krivokapiçit është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion mes Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare URA. Kjo Qeveri ka pasur një shumicë të ngushtë në Kuvend – prej 41 deputetësh – por ka kthyer DPS-në e Gjukanoviçit në opozitë pas tri dekadash. Dallimet në qëndrime midis partnerëve të koalicionit kanë nisur të shpërfaqen shumë shpejt pas formimit të tij dhe palët shpesh nuk kanë qenë të njëzëshme në vendime./REL