Banorët e zonës rreth Rinasit kundërshtojnë vendimin e ARRSH-së për kalimin me një sens të makinave drejt aeroportit. Mëngjesin e sotëm ata janë ngritur në protestë duke kërkuar anulimin e vendimit, ndërkohë kanë bllokuar edhe rrugën.
“Ne do të qëndrojmë këtu, nuk do të largohemi”, u shpreh një banor. “Ne kemi mbjellë tokat, fëmijë duhet t’i çoj në shkollë. Shteti po më detyron të bëj 35 km shtesë rrugë në ditë”, tha një tjetër banor. Në vendngjarje ndodhen forca të shumta policie, të cilat po largojnë banorët nga rruga, në mënyrë që të mos ndërpritet qarkullimi i makinave.
Lëvizja e makinave drejt aeroportit pas vendimit të ARRSH-së
Për të shkuar drejt aeroportit të Rinasit, mjetet duhet të ndjekin rrugën Qafë Kashar- Rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit e deri në Ahmetaq. Ndërsa për t’u kthyer, do të ndjekin rrugën Ahmetaq, Vorë – Qafë Kashar. Për mjetet që vijnë nga veriu për në drejtim të Rinasit, do duhet të ndjekin itinerarin Fushë Krujë – Vorë – Qafë Kashar dhe aeroport.