Bill Gates konfirmoi se ai “i shkaktoi dhimbje” ish-bashkëshortes së tij, Melinda Gates, kur u pyet nëse e kishte tradhtuar gjatë martesës së tyre 27-vjeçare.
Në një intervistë për të promovuar librin e tij të ri, gazetarja e pyeti miliarderin se çfarë e solli divorcin e tij vitin e kaluar.“A keni tradhtuar në martesën tuaj? A ishte kjo një nga arsyet e divorcit?” e pyeti Savannah Guthrie. “Sigurisht që kam bërë gabime dhe marr përgjegjësinë”, u përgjigj Bill, pa dhënë detaje. “Unë nuk mendoj se thellimi në detaje në këtë pikë është konstruktiv, por po, i kam shkaktuar dhimbje dhe ndihem tmerrësisht keq për këtë,” shtoi ai. Pasi Bill dhe Melinda njoftuan ndarjen e tyre në maj 2021, ai pranoi se pati një lidhje gati 20 vjet më parë me një punonjëse të Microsoft.
Kur Melinda u pyet në “CBS Sunday Morning” në mars nëse ish-bashkëshorti i saj kishte pasur lidhje të shumta, ajo thjesht u përgjigj:
“Këto janë pyetje që Bill duhet t’u përgjigjet”.
Ndërsa reflektonte për divorcin e tij, që u finalizua në gusht, manjati i biznesit tha se ishte “pa dyshim një gjë e trishtë” për familjen e tij.
“Unë marr përgjegjësinë që i kam shkaktuar shumë dhimbje familjes time. Ishte një vit i vështirë. Ndihem mirë që të gjithë ne po ecim përpara tani. Melinda dhe unë po vazhdojmë të punojmë së bashku, ishte e trishtueshme dhe tragjike, por tani po ecim së bashku,” vazhdoi ai.
Bashkëthemeluesi i Microsoft pranoi se ishte e vështirë ta dëgjonte Melindën të tregonte gjatë intervistës së CBS se si ajo ishte shtrirë në dyshemenë e banjës duke qarë gjatë martesës së tyre. “Kjo ishte një gjë shumë e vështirë. Ne kishim shumë gjëra të mahnitshme në martesën tonë: fëmijët, fondacioni, kënaqësia që kishim. Kështu që ishte shumë e vështirë,” tha ai. “E di që divorcet janë të ndryshme, por ishte një ndryshim i madh. Ne ishim partnerë. Ne jemi rritur së bashku dhe tani është ndryshe. Nuk jemi më të martuar.”
I pyetur për atë që kishte mësuar nga divorci, Bill u përgjigj:
“Ka fusha si klima apo shëndeti ku unë kam ekspertizë, por për çështje personale si kjo, nuk e mendoj veten si ekspert. Unë duhet të jem shumë i përulur. Nuk kam këshilla të mira për njerëzit e tjerë.”
Bill gjithashtu pranoi se nuk i kishte dëgjuar këshillat e Melindës për të mos u miqësuar me pedofilin Jeffrey Epstein dhe se ishte penduar shumë për këtë.