Partia Demokratike do të mbledhë ditën e sotme në orën 18:00 Këshillin Kombëtar. Kjo do të jetë mbledhja e parë pas Kuvendit të 30 prillit, që zgjodhi edhe anëtarët e rinj të këtij organi të rëndësishëm.
Qëllimi i mbledhjes nuk është vetëm konstituimi por edhe do të përcaktohet qëndrimi politik i PD për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, për të cilin Alibeaj duket se është më bashkëpunues me mazhorancën ndërsa Komisioni i Rithemelimit vendos kushte se do të futen në negociata vetëm nëse mazhoranca do të pranonte kandidatin e tyre.
Anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD janë edhe Enkelejd Alibeaj, Lulzim Basha, Gazment Bardhi dhe të gjithë deputetët e tjerë që nuk i janë bashkuar Berishës. Nëse do të jenë apo jo në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të ditës së sotme, kjo mbetet për tu parë edhe pse kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Ndërkohë, Partia Demokratike duket se po has vështirësi për të gjetur gjuhën e përbashkët brenda vetes pasi ditën e djeshme, Enkelejd Alibeaj mblodhi grupin parlamentar të PD. Mbledhja u shoqërua me debate të ashpra ndërsa kishte deputetë që kërkonin të shtyhej takimi për një ditë tjetër në mënyrë që të bashkoheshin edhe mbështetësit e Berishës.