Roma dhe Fejnord janë dy ekipet finaliste të kompeticionit Liga e Konferencës, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, më 28 maj. Tifozët italianë të Romës e presin me padurim këtë ndeshje, por media italiane “Corriere Dello Sport” shkruan se situata në lidhje me biletat është kaotike.
Në artikull thuhet se stadiumi ka krijuar vështirësi të mëdha për finalen e Ligës së Konferencës, duke pasur një kapacitet të limituar me vetëm 19 mijë vende, megjithëse konsiderohet si një nga xhevahirët e Europës. Të dyja klubet pritnin të merrnin siç është e traditës, një të tretën e biletave për këtë sfidë, por UEFA u ka dorëzuar shumë më pak. Romës i kanë mbërritur vetëm 3500 bileta, të cilat ajo ka qenë e detyruar t’i shpërndajë falas.
Në Itali kritikojnë UEFA-n për zgjedhjen e një stadiumi të vogël, por arkitekti italian i stadiumit “Air Albania”, Marko Kazamonti, ka insistuar se të gjithë duhet ta shohin këtë ndeshje si një mundësi të mirë për të shijuar një impiant modern që duhet marrë si shembull edhe në vendin fqinj.