Rreth 20 punonjës të Inceneratorit të Fierit ditën e sotme janë ngritur në protestë pasi kanë 4 muaj që nuk kanë marrë rrogat.
Abc mëson se punëtorët kanë bllokuar hyrjen e Incineratorit dhe nuk lejojnë kalimin e automjeteve të rënda me mbetje urbane.
Kjo nuk është hera e parë që punonjësit e këtij incineratori protestojnë për pagat.
Më 30 prill, rreth 30 punonjës protestuan për të njëjtën kauzë.
Inceneratori është sekuestruar nga SPAK dhe është vendosur një administrator nga shteti.
Prej disa muaj SPAK ka nisur hetimet për kompanitë që fituan koncesionet e inceneratorëve në vend.
Të arrestuar dhe në hetim për impiantin e mbetjeve në Fier janë ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretari i ministrisë, Alqi Bllako dhe ish-kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi. Ish zyrtarët dyshohet se kanë favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e inceneratorit.
Referuar hetimit, ata i kanë paraqitur dokumente të falsifikuara qeverisë për shpronësimin e truallit ku u ndërtua inceneratori duke shkaktuar një dëm afro 16 milionë lekësh.