Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar Prokurorin e Gjirokastrës, Emror Kasaj. Kasaj u përball për herë të dytë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 5 maj lidhur me problemet në kriterin e figurës dhe profesionalizmit. Nga analiza financiare paraprake për periudhën 2010-2016 Kasaj rezulton me balancë negative në vlerën e 31 milionë lekëve.
Pas përditësimit të raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar janë referuar informacione për përfshirjen e tij në korrupsion pasiv dhe për ndikim të paligjshëm në një proces penal. Emror Kasaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si oficer i Policisë Gjyqësore. Prej vitit 2015, ai ushtron funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër.