Golemi dhe vija e tij bregdetare mbeten ndër destinacionet më të frekuentuara në stinën e verës dhe jo vetëm, nga pushues vendas dhe turistë të huaj. Vitet e fundit, nga transformimi urban që ka pësuar kjo zonë, është shndërruar në një prej zonave me potencial të lartë turistik, si dhe me një larmi objektesh rezidenciale që ofrojnë kushte optimale për të gjitha kategoritë e pushuesve.
Për t’ju përgjigjur intensitetit gjithnjë në rritje të turistëve, si dhe për të përmirësuar aksesin drejt potencialeve turistike, është ndërmarrë projekti i gjerë për rikualifikimin urban të zonës turistike Golem, ku po punohet paralelisht në disa blloqe. Aktualisht po punohet intensivisht për fazën e dytë të rrjetit të brendshëm rrugor, pasi është ndërtuar e tërë infrastruktura nëntokësore, duke zgjidhur përfundimisht problemin e ujerave të zeza edhe në këtë pjesë të plazhit, njësoj si në Durrës
Për të parë ecurinë e deritanishme të projektit, ishte sot në Golem, Kryeministri Rama i shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli shpjegoi se investimi më i rëndësishëm në bllokun e parë është kolektori i ujërave të zeza, i cili zgjidh përfundimisht një gangrenë të mbartur prej vitesh. “Jemi në përfundim të punimeve në vazhdimin e bllokut turistik të Golemit. Një vit më parë mbaruam bllokun e parë gjithë zonën e Shkëmbit të Kavajës. Ajo që vlen të theksohet dhe është pjesa më e rëndësishme në investimin në këtë bllok është kolektori i ujërave të zeza. Këtu ku jemi është kolektori i madh, 6 metra nën tokë, bashkë me rrugët e tjera rreth 2,7 kilometra kolektorë që mbledhin gjithë ujërat e zeza në këtë zonë, e cila ka qenë një gangrenë në këtë zonë dhe mbi këtë dhe gjithë pjesa e infrastrukturës rrugore, trotuaret, ndriçimi, sinjalistika. Ky sezon turistik na gjen me një infrastrukturë komplet të transformuar këtë zonë.” – u shpreh Agolli teksa shtoi se “këto investime nuk janë thjesht përmirësimi i infrastrukturës dhe kushteve të jetesës, por edhe rritje e vlerës së pronës.
Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha se zona në fjalë është në përmirësim të vazhdueshëm të infrastrukturës. “Këtu ka patur një nevojë të vazhdueshme për infrastrukturën. Rruga paralele me të cilën ne po punojmë ka një gjatësi rreth 4.5 km nga Plepat deri në zonën ku ndodhemi aktualisht dhe do të rikonstruktohet komplet rruga sekondare, pra ajo që është paralel me autostradën, duke shtuar elementë të kanalizimeve të ujerave të bardha, atje ku ka nevojë dhe për sistemin e kanalizimit të ujerave të zeza, vendosjen e elementëve te ndriçimit dhe të gjelbërimit. Projekti në vetvete parashikon që gjatë sezonit të përdoret si një rrugë me dy sense, pra të behet hyrja për te Shkëmbi i Kavajës në zonën turistike dhe kthimi për në Durrës dhe Tiranë pastaj të dalë në pjesën e sipërme të rrugës, por kjo është një proces që ne do ta vlerësojmë dhe sipas nevojës pasi të mbarojë investimi.”
Gjatë inspektimit, Kryeministri Rama ritheksoi nevojën e mbajtjes së një mjedisi të pastër dhe ruajtjes së tij rreth zonave me aktivitet turistik. “Kemi rënë dakord tek Plani Kombëtar, që subjektet tregtare, qofshin biznese, dyqane, hotele, restorante, nuk duhet të përdorin koshat dhe duhet t’i lënë mbeturinat në thes tek dera, në një orar të caktuar dhe të shkojë t’i marrë struktura që kemi organizuar bashkërisht me qeverinë, në mënyrë që të fillojë të ndryshojë komplet regjimi i pastrimit por dhe qasja nga ana e njerëzve, e subjekteve në radhë të parë. Kështu që, duhet ti rrimë mbi kokë çdo ditë që të fillojë të funksionojë siç duhet. Hotelet e kanë në interesin e tyre të parë që vendi të jetë i pastër dhe restoranti po ashtu.’- u shpreh Kryeministri.