U desh një aksident i rëndë si ai i ditës së djeshme pranë rrugës së Kavajës ku 39-vjeçari Sulejmani përplasi në vijat e bardha një çift dhe fëmijën e tyre 3-muajsh, që policia rrugore të ‘ngrihej’ në këmbë. Pas ngjarjes së rëndë, policia rrugore ka zhvilluar një sërë kontrollesh për shkelësit e Kodit Rrugor.
Nga kontrollet e zhvilluara janë administruar 2874 gjoba dhe janë tërhequr 79 leje drejtimi. Po ashtu në pranga kanë rënë 16 persona, 10 që janë kapur teksa drejtonin mjetin në gjendje të dehur dhe 6 të tjerë që nuk kishin lejen e drejtimit me vete. Policia Rrugore paraljamëron se kontrollet intensive do të vijojnë, teksa apelon për zbatimin e rregullave nga drejtuesit e automjeteve.