TIRANË– Nga zbatimi i programit të kreditimit të lehtësuar i nisur që në vitin 2009 ka rezultuar se shumë individë apo familje kanë kërkuar kredi të butë për blerje trualli për të ndërtuar vetë banesën.
Në projektligjin për “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 22/2018 “për strehimin social” Ministria e Financave dhe Ekonomisë tashmë ka përfshirë edhe këtë kriter. Shuma maksimale e kredisë e përfituar për blerje trualli do të jetë e njëjtë me shumën e kredisë që do të përfitonin për blerjen e një banese me kosto të ulët në treg.
Më draftin për rishikimin e ligjit aktual të strehimit social i publikuar në konsultimet publike, Ministria e Financave dhe Ekonomisë përfshin në përfitimin e kredive me 0% interes edhe dy kategori të reja, atë të familjeve që banojnë si qiramarrës në ish pronë private sipas Aktit Normativ Nr. 3, datë 1.3.2012 dhe familjet e punonjësve të rendit të rënë në detyrë. Ndërsa familjet e reja për banesën e tyre të parë do të përfitojnë kredi me 1,5% interes. Familje të reja që kanë nevojë për strehim do të konsiderohen ato kur, në momentin e aplikimit, mosha e anëtarit më të madh është më e vogël ose baraz me 38 vjeç. Ligji aktual i strehimit parashikon për familjet e reja edhe dhënien e një granti të barabartë me 10% të çmimit të shitjes së banesës për të gjitha kategoritë. Kjo masë nuk reflekton objektivin e qeverisë për të akorduar një grant prej 1 milion lekë familjeve të reja, për faktin se kjo shumë fikse nuk ka të njëjtën vlerë si, p.sh. në Tiranë dhe në një bashki ku vlerat e tregut janë të ulëta.
Projektligji gjithashtu ndryshon përcaktimin e nivelit të të ardhurave që duhet të ketë aplikanti për të përfituar nga programi i banesave me kosto të ulët, duke bërë referencë me çmimet e banesave në treg. Mënyra e përdorur në këtë rast i referohet një metode universale të vlerësimit të përballueshmërisë së tregut, e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara (UN-HABITAT) si raport i të ardhurave vjetore të familjes ndaj çmimit mesatar të shit-blerjes së banesave në treg. Sipas Kombeve të Bashkuara një treg konsiderohet i përballueshëm nëse ky raport është 1:4. Për shembull, nëse çmimi mesatar i një apartamenti 2+1 në Tiranë është 9,76 mln lekë, ky treg është i përballueshëm, nëse të ardhurat mujore mesatare të familjeve me 4 persona në Tiranë janë 200,000 lekë. Për këtë treg banesash, familjet përfituese nga instrumenti financiar i interesave të kredive duhet të kenë të ardhura mujore nën 135,000 lekë.
Gjithashtu, duke qenë se ligji u jep të drejtë të përfitojnë edhe familjeve që disponojnë banesë në pronësi, është shtuar një pikë që përcakton kufirin maksimal të kreditimit jo më shumë se 60% për këto raste, duke marrë parasysh që diferenca mbulohet nga vlera e banesës që disponohet.
Në projektligj parashikohet edhe falja e kredive për familjet e shpërngulura nga ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës, si edhe familjet e trajtuara për meremetime banesash për vitet ‘95-‘96, të cilat kanë përfituar kredi nga buxheti i shtetit nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave. Falja e detyrimeve nuk bëhet për efekt pamundësie financiare, por për shkak të shpronësimit që iu është bërë këtyre familjeve për shkak të ndërtimit të veprave publike.
Drafti në total ndryshon 26 nene të ligjit aktual. Në to përfshihet edhe ndryshimet për mbështetjen e pronarit social, duke subvencionuar edhe tatimin mbi të ardhurat nga qiraja, edhe pse një gjë e tillë ndodh automatikisht, pasi reflektohet në nivelin e qirasë. Po ashtu shtohen kriteret e reja të financimit të riparimeve duke e përcaktuar jo më shumë se 30% e kostos së ndërtimit të një objekti të ri dhe jo më shumë se 800,000 lekë, ndërkohë që në rast se banesa ka nevojë për një vlerë më të madhe investimi, diferenca mund të paguhet nga pronari social në mënyrë të menjëhershme ose me këste sipas marrëveshjes që lidhet midis tij dhe bashkisë, si dhe duke përcaktuar se masa vjetore e qirasë do të llogaritet duke zbritur nga qiraja reale 1/10 e vlerës së investimit.
Neni 9 bën një korrigjim të referencës ligjore në shkronjën d) e pikës 1 të nenit 31 si dhe ndryshon ndodhinë nëse të ardhurat e familjes përmirësohen dhe tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga neni 20 i ligjit, duke mos bërë ndërprerje të menjëhershme të kontratës, por duke i ofruar familjes rilidhjen e një kontrate qiraje jo më të lartë se 80% e nivelit mesatar të qirave.
Referuar relacionit të draftit banesat sociale në Shqipëri zëne 0,2% të totalit të banesave, krahasuar me deri 2% ish vendet e kampit socialist, deri në 10% disa vende si Italia, apo mbi 20% disa vende si Holanda.
Marrë nga Monitor.al