Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se një grup deputetësh kanë propozuar miratimin e një rezolute për dënimin e masakrës së Srebrenicës të vitit 1995. Balla tha se socialistët ishin të hapur për miratimin e një dokumenti të tillë, pasi Shqipëria e ka dënuar këtë masakër, por vuri një kusht.
“Të mos harrojmë që në korrik 1995, presidenti i asaj kohe ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë në mbështetjen e makinerisë ushtarake të Sllobodan Millosheviç. Jo vetëm që ka pasur prova, por është dënuar fakti që presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, furnizonte me karburant makinerinë vrasëse të Millosheviç që kaloi nga Bosnja edhe në Kosovë. Nëse e pranojnë edhe propozimin që pjesë e rezolutës të jetë edhe dënimi i shkeljes së embargos nga ana e Shqipërisë, me porosinë e Sali Berishës, atëherë do të kemi një dokument më integral”, tha Balla.