Ndërsa për më pak se një javë bëhet 1 vit nga nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi vendin ton, prokuroria e Durrësit njofton se ka përfunduar hetimet.
Si pasojë e këtij tërmeti kujtojmë se u dëmtuan një numër i konsiderueshëm banesash dhe objektesh të tjera, si dhe kanë gjetur vdekjen 23 persona në Durrës.
Hetimet nisën në momentin kur dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në vdekjen e njerëzve kanë ardhur edhe si shkak i ndërtimeve të kryera pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimeve, si dhe për shkak të ndërtimeve të kryera pa lejen e organeve kompetente.
Top Channel mësoi se si përfundim Akuza dërgoi për gjykim të pandehurit si vijon:
Ramiz Shehu
Nevjana Isufi
Abdulla Osmani
Ruzhdi Xheka
Arben Isaku
Aldo Dakoveli
Artur Terziu
Artur Çela
Klajdi Lame
Flamur Gjuzi
Albrend Qetka
Skerdi Bello
Artenis Malko
Deshira Qato
Arben Qato
Kujtim Hasa
Nëse i marrim emrat me radhë: Ramiz Shehu do të gjykohet në cilësinë e projektuesit dhe zbatuesit të punimeve të ndërtimit pa leje të banesës së familjes Lala, ku humbë jetën 8 persona: Marjeta Lala, Amelja Lala, Emiljo Lala, Enis Lala, Dionisa Lala, Sahadete Lala, Ilir Lala dhe Grisilda Lala. Ramiz Shehu ka kryer ndërtimin e objektit katër katësh, pa respektuar rregullat dhe normat ligjore në fushën e ndërtimit gjë e cila ka sjellë si pasojë shembjen e objektit dhe vdekjen e tetë personave, ku kujtojmë se shpëtoi vetëm shtetasi Ram Lala pas ndërhyrjes së forcave të kërkim shpëtimit.
Po ashtu, nga verifikimi i dokumentacionit të sekuestruar rezulton edhe një dokument në të cilën është firma e shtetases Nevjana Isufi.
Inxhinieri emrin e të cilin mbante dokumenti u pyet për këtë Plan Rilevimi, dhe ka deklaruar se nga ana e tij as nuk është përpiluar dhe as nuk ishte firmosur një dokument i tillë dhe se Nevjana në mënyrë të kundraligjshme ka vendosur firmën poshtë emrit të tij duke përdorur emrin në dokumentat e hartuara prej saj. Kështu Nevjana Isufi ka konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve ”.
Për Abdulla Osmanin, emri i tij del në shembjen e hotel Tropikalit, nga shembja e të cilit kanë humbur jetën dy shtetas kosovarë (dy vëllezërit Shemsedin Abazi dhe Isah Abazi), si dhe kanë pësuar dëmtime të rënda pronari Abdulla Osmani dhe bashkëshortja e tij. Osmani në cilësinë e investitorit dhe ndërtuesit pa leje me veprimet dhe mosveprimet e tij ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia”. Ai ka kryer ndërtimin e objektit pesë katesh+papafingo, pa respektuar rregullat dhe normat ligjore në fushën e ndërtimit.
Ruzhdi Xheka, emri i tij lidhet me “Hotel Mira Mare”, nga shembja e të cilit kanë humbur jetën shtetasit Sotiraq Misha dhe Evjola Broshka. Ky objekt ishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente dhe për të cilin pronari i tij, Ruzhdi Xheka kishte aplikuar duke plotësuar formularin e vetëdeklarimit për legalizim në vitin 2005 dhe më pas edhe me një formular shtesë në vitin 2006. Rruzhdi Xheka në cilësinë e investitorit dhe ndërtuesit pa leje me veprimet dhe mosveprimet e tij ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia”. Xheka pavarësisht se po ndërtonte një objekt ndërtimor pesë katësh me funksion social ekonomik “Hotel”, në kundërshtim me ligjin nuk ka pajtuar asnjë specialist të fushës së projektimit dhe ndërtimit me qëllim kryerjen e studimit gjeologjik, sizmik dhe më pas hartimin e projektit konstruktiv të objektit.
Ndërsa Arben Isaku, në cilësinë e drejtorit të ALUIZNI-t Durrës, duke miratuar legalizimin e objektit 5-kate të “Hotel Mira Mare” pa plotësuar më parë kushtet tekniko-ligjore ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
Po kështu Aldo Dakoveli në cilësinë e Përgjegjësit të Zyrës së Aluizni-t Durrës, duke konfirmuar me anë të nënshkrimit të tij plotësimin për miratimin e legalizimit të objektit 5-kate të “Hotel Mira Mare”, pa u plotësuar më parë kushtet tekniko-ligjore ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin nr.9482 datë 03.04.2006 i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
Artur Terziu. Në pallatin nr.1032, i ndodhur në rrugën “ Shoqëria Bashkimi”, lagjia nr.6, Durrës, i cili është shembur në dy katet e para dhe qëndronte si bllok nga kati i tretë (rrafsh me sipërfaqen e tokës) deri në katin e gjashtë, kanë humbur jetën shtetaset Nafije Rexhepi dhe Zhulieta Gjana.
Nga hetimet e zhvilluara rezuloi se objekti gjashtë katësh ishte ndërtuar në vitet 1988-1989 sipas lejes së ndërtimit të vitit 1966 si godinë banimi 6 kate mbi tokë dhe 0 kate nën tokë, me sipërfaqe të gjurmës së ndërtimit 230 m2 dhe me sipërfaqe totale 1406 m2. Në katin e parë të këtij objekti funksionte një aktivitet ekonomik “Bar Barons”, i cili ishte përshtatur nga një apartament me sipërfaqe prej 83.47 m2 si dhe një shtesë objekti pa leje me sipërfaqe 26 m2, në pronësi të Artur Terziu.
Nga hetimet e kryera rezulton se nga ana e Terziut është kryer në kundërshtim me ligjin ndryshimi i destinacionit të pasurisë nga pasuri e llojit banesë (apartament) duke u përshtatur për qëllime tregtare në “Bar Kafe” të emërtuar “Barons” pa lejen e organeve kompetente. Terziu ka konsumuar elementët e veprave penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 199/a/3 dhe neni 186/1 i Kodit Penal.
Ndërsa Artur Çela, në cilësinë e Kryeinspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës i ngarkuar për inspektimin e territorit në të cilin është kryer ndërtimi pa leje, nuk ka ndjekur konstatuar dhe ndaluar punimet për ndërtimin e paligjshëm të kryera nga shtetasi Artur Terziu.
Nga ana tjetër rezultoi se Klajdi Lame, në cilësinë e Inspektorit të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Durrës i ngarkuar për inspektimin e territorit në të cilin është kryer ndërtimi pa leje, nuk ka ndjekur konstatuar dhe ndaluar punimet për ndërtimin e paligjshëm të kryera nga shtetasi Artur Terziu.
Po ashtu Flamur Gjuzi, për çështjen më lart në cilësinë e Drejtorit të Zyrës së Aluizni-t Durrës nuk e ka trajtuar dhe shqyrtuar konform kërkesave ligjore dokumentacionin e paraqitur para tij, por në kundërshtim me detyrimin ligjor ka urdhëruar legalizimin e objektit duke u mbështetur në të dhëna të parregullta në formë dhe në përmbajtje.
Nga sa më sipër rezulton se i pandehuri Albrend Qetka punonjës në sektorin e legalizimeve pranë AUIZNI Shijak, ka hartuar skicat fushore, duke mos paraqitur të dhëna reale dhe duke mos qenë i planizuar në Durrës por në Shijak, këto dokumenta i ka paraqitur më vonë dhe vetëm për të plotësuar praktikën e dokumentave pranë ZVRPP Durrës, në kundërshtim me ligjin.
Skerdi Bello, ka cënuar marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar veprimtarinë e rregullt të organeve shtetërore të mbrojtura posaçërisht nga legjislacioni penal, që kanë të bëjnë me kolaudimin e objekteve ndërtimore, me legalizimin e ndërtimeve pa leje, me mbikëqyrjen dhe kontrollin e territorit.
Artenis Malko punonjës në sektorin e legalizimeve pranë AUIZNI Durrës, ka hartuar skicat fushore, duke mos paraqitur të dhëna reale të objektit.
Objekti “Hotel Vila Palma”, në zonën e quajtur Shkëmbi i Kavajës, plazh, Durrës, nga shembja e të cilit ka humbur jetën shtetasi Sadik Qato, i cili është babai i bashkëshortit të Deshira Qato dhe pas kërkimeve me orë të zgjatura nga grupet e shpëtimit u arrit të nxirret me jetë nga rrënojat shtetasi Klajdi Qato (djali i shtetases Deshira Qato).
Deshira Qato ka kryer ndërtimin e objektit 8+1 kate, pa respektuar rregullat dhe normat ligjore në fushën e ndërtimit përsa i përket studimit, projektimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të objektit ndërtimor.
Qato me dashje direkte e ka kryer ndërtimin e shtesës së objektit në mënyrë të kundraligjshme dhe pa lejen e organeve kompetente, duke besuar tek aftësitë e saj apo personave që kanë marrë pjesë në ndërtimin e këtij objekti, se objekti mund të jetë i qëndrueshëm nga pikëpamja teknike, por pasojat e ardhura nga shembja e ndërtesës së ndërtuar nga vetë ajo kanë ardhur nga pakujdesia, pasi ajo nuk i ka parashikuar pasojat që mund të vinin, megjithëse sipas rrethanave në të cilat është kryer ndërtimi ajo duhet ti parashikonte (ajo vetë dhe familja e saj banonin në këtë objekt, ku si pasojë gjeti vdekjen edhe babai i bashkëshortit të saj).
Kujtim Hasa me detyrë Shef i Shërbimeve pranë Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, veprën penale e ka kryer me mosveprime, duke lejuar që i ndjeri Bajram Hajdarmetaj të futej dhe akomodohej në ambientet e katit të tretë, të Hotelit nr.4, në Shtëpinë e Pushimit, i cili më parë ishte shpallur i pashfrytëzueshëm, duke konsumuar kështu elementët e vepres penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Ndërkohë për 3 nga të akuzuarit janë pushuar hetimet pasi kanë ndërruar jetë. Ata ishin shtetasit Zylfi Xhelili, Shyqyri Krymbi dhe Selim Ushina.