TIRANË– Partia Demokratike do të mbajë ditën e sotme zgjedhjet për kryestarin e saj ku dy janë kandidatët, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kreu i PD-së Kukës Ibsen Elezi.
Sipas njoftimit të PD-së zgjedhjet do të nisin në orën 08:00 dhe do të zgjasin deri në orën 18:00, por nëse do të ketë anëtar që do paraqiten pas kësaj ore mund t’a bëjnë atë.
Njoftimi nga PD:
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njofton se ditën e diel, datë 22 maj 2022, do të zhvillohen zgjedhjet për Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Proçesi i votimit do të nisë në orën 8.00 e do të mbyllet në orën 18.00.
Nëse në orën 18.00 do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.
Kandidatët për Kryetar sipas renditjes në fletën e votimit janë:
1. Sali Berisha
2. Ibsen Elezi
Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD do të votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike, ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton të gjithë anëtarët e PD të bëhen pjesë e procesit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të PDSH me parimin “një anëtar një votë”.
Ndërkohë ditën e djeshme kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Ibsen Elezi ka kërkuar shtyrjen e datës për mbajtjen e zgjedhjeve. Gjatë një deklarate për mediat, Elezi ka bërë me dije se zgjedhjet duhet të shtyheshin me 14 ditë, pasi kjo e tanishmja është kohë e pamjaftueshme. Ai theksoi se procesi zgjedhor po kryhet në kundërshtim me Statutin e PD-së.
Komisioni për Organizimin e Zgjedhjeve ka marrë të gjitha masat për shpërndarjen e bazës materiale, dhe siç është bërë e udhës në proceset e drejtuara prej tyre, kohë pas kohe do të bëjnë me dije dhe të dhëna për pjesëmarrjen në votime.