Ish-kryeministri Sali Berisha ka takuar jashtë ambienteve të Kuvendit përfaqësuesit e Shoqërisë Civile dhe ambientalistin Sazan Guri, të cilët kërkuan shtyrjen e miratimit të projektligjit për Butrintin. Sali Berisha i garantoi se do të ngrejë zërin për sa i përket kësaj çështjeje dhe nuk do të lejojë kryeministrin Rama që të sillet me këtë pasuri të shqiptarëve si të dojë.
“E garantoj Edi Ramën se nuk do mundet të sillet me Butrintin sikur te ishte plaçkë e baballarëve të tij. ajo është pronë e shqiptarëve, një nga pasuritë më të çmuara. Ata që kanë parashikuar shpërbërjen e parkut dhe kanë përdorur një plan menaxhimi për këtë qëllim ata kanë parashtruar programin e një akti korruptiv të pashembullt. Unë do përdor të gjithë zërin tim kundër këtij projekti që është ndër projektet më korruptive në Shqipëri dhe Evropë, shkatërrimtar për një pasuri përrallore të kombit shqiptar”, u shpreh Berisha.
Ambientalisti Sazan Guri i kërkoi mbështetje Berishës për të mos e lejuar ligjin të kalojë.