Presidenti amerikan Joe Biden ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Teksas të hënën, ku një person vrau 19 nxënës dhe 2 mësues në një shkollë fillore. Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, Biden u bëri thirrje amerikanëve që t’i kundërvihen ligjit për armët, duke sugjeruar vendosjen e një ligji të ri, shkruan Reuters.
I dyshuari, një 18-vjeçar i quajtur Salvador Ramos, dyshohet se ka qëlluar gjyshen e tij përpara se të shkonte në shkollën fillore për të kryer sulmin, ka thënë guvernatori i Teksasit. Zëvendës presidentja Kamala Harris tha se është e natyrshme që liderët të thonë se i thyhet zemra nga këto ngjarje, por të shtënat vazhdojnë të ndodhin pa pushim. Ajo shtoi se së bashku me Biden po monitorojnë situatën nga afër.
Maji ka shënuar një sërë ngjarjesh të përgjakshme në Shtetet e Bashkuara ku vetëm dhjetë ditë më parë 10 persona humbën jetën dhe 3 u plagosën në Nju Jork në një akt që dyshohet se ishte një sulm kundër personave me ngjyrë.