ITALI- Një 35-vjeçare shqiptare, e identifikuar si Nevila Pjetri, e cila banonte në Carrara, është vrarë në Itali. Trupi i pajetë i gruas shqiptare, u gjet gjysmë i zhveshur, pranë një përroi në Parmignola, në kufirin midis Toscana dhe Liguria.
Vdekja, sipas hetuesve, dyshohet se ka ndodhur pas një sulmi të dhunshëm ndaj 35-vjeçares, duke ngritur hetimet për një vrasje. Siç shkruajnë mediat italiane, viktima dyshohet se punonte si prostitutë dhe sipas dëshmive, është parë nga vajzat e tjera prostituta, duke hipur në një makinë të bardhë, e cila drejtohej nga një burrë.
Një nga dëshmitarët tregon se ka parë një burrë duke zvarritur diçka përtej përroit, ndërsa hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë së një karburanti që ndodhej aty pranë. Të martën pritet që t’i bëhet autopsia për të kuptuar se si u vra.
Sipas dyshimeve të hetuesve (ende te pakonfirmuara), ajo fillimisht është rrahur dhe më pas është vrarë me një të shtënë me pistoletë kalibri të vogël, ose është goditur me ndonjë kaçavide në veshin e majtë. Hetuesit dyshojnë se vrasja nuk ka ndodhur në vendin ku u gjet kufoma.
Karabinierët kanë gjetur makinën e viktimës të parkuar jo shumë larg vendit ku u gjet kufoma dhe po kërkojnë makinën në të cilën sipas disa dëshmitarëve, Nevila kishte hipur.