Presidenti Ilir Meta ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ditën e djeshme në “Ditën e Çlirimit të Kosovës”, ka nderuar dëshmorët e Batalionit “Atlantiku”, të rënë për lirinë e Kosovës, vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi.
Me anë të një postimi në Facebook, Kreu i Shtetit njofton një takim me prindërit e vëllezërve dëshmorë dhe kërkon zbardhjen e plotë të gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.
POSTIMI I PLOTË:
“Nëqoftëse çmimi i lirisë ishin jetët tona, ne nuk mundëm të jepnim më shumë”. Dje në Ditën e Çlirimit të Kosovës, në New York, vendosa një buqetë me lule të freskëta dhe u përula me nderim, respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit dhe veprës të Dëshmorëve të Batalionit “Atlantiku” të rënë për lirinë e Kosovës, vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi, historisë së lavdishme të UÇK-së dhe krenarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.
I dorëzova nënës heroinë Bahrije dhe babait fisnik Ahmet, Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, që u akordova djemve të tyre të paharruar. Me shembullin e jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të atdhedashurisë dhe idealeve më të larta njerëzore, vëllezërit Bytyçi do t’i frymëzojnë dhe edukojnë përherë gjeneratat e reja të shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit që nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë.
Kur kanë kaluar mbi dy dekada nga vrasja e tyre e pabesë dhe ende nuk ka përparim për ndriçimin e këtij krimi monstruoz është domosdoshmëri vënia e drejtësisë që do të lehtësojë dhembjen e madhe të familjes së dashur Bytyçi. Zbardhja e gjenocidit dhe të gjitha krimeve të kryera në Kosovë nga regjimi i Millosheviçit do të japë një kontribut të çmuar për më shumë paqe, siguri dhe demokraci në rajonin tonë!