Ndryshe nga Charles Michel një ditë më parë, komisioneri i BE-së për zgjerim, Oliver Varhelyi duket pesimist për negociatat e Maqedonisë së Veriut e për rrjedhojë edhe të Shqipërisë. Ai u shpreh se nuk ka dijeni për ndonjë kornizë negociuese me Shkupin por foli për ngërç të plotë në Sofje.
“Kaloj pothuajse çdo të martë në atë vend, por pa rezultat. Është e dukshme që politika e brendshme është e aftë të dëmtojë kredibilitetin e BE-së, atje. Nuk ka kornizë negociuese në këtë moment”, tha Varhelyi. Megjithatë komisioneri për Zgjerim i BE-së më pas shtoi se shpreson që pas disa ditësh të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Nuk ka arsye për të pritur për shkak të çështjeve të brendshme politike në Bullgari, shpresoj se po flasim për ditë, jo për muaj apo vite kur bëhet fjalë për konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.- shton Varhelyi. Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, në ditën e dytë të samitit të Prespës e bëri të qartë se nuk ka lëshime ndaj Bullgarisë.
“Unë i kam thënë qëndrimet tona, ato janë të përcaktuara shumë qartë në Kuvendin tonë, të cilit i përmbahemi. Nuk flitet për gjuhën maqedonase, identitetin dhe zgjidhja duhet të përmbajë një zgjidhje të përgjithshme dhe të garantojë se me këtë nuk do të ketë më kërkesa për përparimin tonë të mëtejshëm në integrimin në BE”.- Dimitar Kovaçevski
Në panelin e sotëm të samitit, përveç Kovaçevskit mori pjesë edhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, sekretarja e përgjithshme e Këshillit të bashkëpunimit rajonal Majlinda Bregu, dhe përfaqësues nga vende të tjera.