Zjarrfikësit në Katalonjën perëndimore po luftojnë për të shuar zjarret që kanë djegur deri në 1600 hektarë që nga dita e mërkurë.
Helikopterët po përdoren për të hyrë në terrenet më të vështira, por temperaturat janë jashtëzakonisht të larta. Dielli përvëlues ka goditur Spanjën që nga fundi i javës së kaluar, në atë që cilësohet vala më e hershme e të nxehtit që nga viti 1981, me temperatura që kalojnë 40 gradë Celsius në shumë pjesë të vendit.
Për momentin prioriteti kryesor sipas autoriteteve është ruajtja e qetësisë dhe marrja e masave. Nga e shtuna pritet që termometrat të bien në perëndim të vendit, por vapa ekstreme pritet të vazhdojë në disa rajone lindje deri në 43 gradë.
Në Francë, 12 departamente janë vënë në alarm të kuq për vigjilencë ndaj valëve të të nxehtit. Është një paralajmërim i dhënë, pasi nxehtësia mund të përbëjë një rrezik serioz për shëndetin dhe jetën e njeriut. Njerëzit në ato rajone këshillohen të qëndrojnë brenda, të pinë shumë ujë dhe të shmangin daljet në pjesën më të nxehtë të ditës. Bizneset gjithashtu mund të riplanifikojnë ditën e tyre për të siguruar që punëtorët të jenë në gjendje të shmangin valën më të keqe të nxehtësisë.