Ish-kryeministri bullgar, njëkohësisht dhe kreu i opozitës, Boyko Borisov i ka kërkuar kryeministrit Krill Petkov që të sjellë propozimin për t’i hapur rrugën hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai është shprehur se 59 deputetët e tij do të votojnë pro.
“I kam kërkuar deputetëve të GERB-it, nëse më besojnë, ta mbështesin propozimin, nëse Petkovi trembet, do të jenë 59 deputetë për t’i dhënë dritën jeshile Maqedonisë dhe Shqipërisë. Siç premtova, të shtunën lexuam tekstet për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut. Unë besoj në Macron dhe KE, deri më tani gjithçka e mirë që ka ndodhur është falë BE-së”, shtoi Borisov.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Komisionerit për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi.
“Falënderojmë liderin e opozitës Borisov për marrjen e një vendimi historik për Evropën dhe për pranimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut bazuar në propozimin francez që lejon vazhdimin me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Ne presim që qeveria t’i bëjë propozimet e nevojshme Parlamentit sot në mënyrë që Evropa të mund të ecë përpara”, ka shkruar Varhelyi.