Në kushtet kur rritja e çmimeve vijon, Ministria e Financave parashikon ndryshime në buxhet me qëllim që të vijojë mbështetjen për shtresat në nevojë. Qeveria do të shtyje deri në fund të vitit efektin e paketës se rezistencës sociale të prezantuar së pari në muajin Mars.
Burime për News 24 bëjnë të ditur se edhe për 6 muajt e mbetur të vitit 2022 në paketën e rezistencës 2 fokusi do të jenë pensionistët dhe shtresat në nevojë. Në paketën e parë financiare që mbyllet këtë Qershor qeveria vendosi t’u japë pensionistëve dhe familjeve në nevojë nga 3 mijë lekë për 3 muaj. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se edhe për muajt e tjetër të vitit skenari është i njëjtë. Janë 434 mijë qytetarë që do të përfitojnë këtë ndihmë.
Paketa e parë që është aktualisht në fuqi realizoi indeksimin e pensioneve me 3.3 miliardë lekë, kompensim me 3 mijë lekë për pensionistë e familje në nevojë, mbështetje 1.5 miliardë lekë për fermerët, 500 milionë lekë që mos të rritej çmimi i transportit publik, fond 20 miliardë lekë për energjinë elektrike dhe ndryshim të taksës progresive e rritjes së pagës minimale.
Ende nuk dihet nëse me paketën e dytë do të mbështeten edhe kategori te tjera qytetarësh, por burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se të ardhurat shtesë vetëm nga rritja e çmimeve në buxhet përgjatë 5 muajve të parë të vitit janë 13 miliardë lekë, ndërkohë që deri më tani janë alokuar afro 6 mld lekë për paketën anti-krizë dhe 20 miliardë lekë janë vënë në dispozicion si garanci për kompensime të energjisë elektrike në mënyrë që të mos rritej çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë, fond i cili nuk është prekur ende pasi situata në kaskada ka qenë e mirë.