Zyrtarët e shëndetësisë kanë urdhëruar kompaninë “Juul” të tërheqë nga tregu amerikan cigaret e saj elektronike. Kjo është goditja më e madhe deri më sot për kompaninë që fajësohet gjerësisht se ka shkaktuar një rritje të përdorimit të cigareve elektronike nga adoleshentët. Njoftimi të enjten nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) është pjesë e një rishikimi gjithëpërfshirës të rregullores për cigaret elektronike, të cilat u përballën me pak kufizime deri vonë.
Që nga vjeshta e vitit të kaluar, FDA-ja ka dhënë dritën jeshile për tregtimin e disa cigareve elektronike që përbëjnë një pjesë të vogël të tregut të këtij lloji. Për të qënë pjesë e tregut, prodhuesit duhet të tregojnë se produktet e tyre ndihmojnë në uljen e dëmit të pirjes së duhanit për të rriturit, pa tërhequr fëmijët.
Vitin e kaluar, agjencia refuzoi aplikimet për më shumë se një milion cigare të tjera elektronike dhe produkte të ngjashme, kryesisht për shkak të mundësisë se do të tërhiqnin përdorues të moshave të reja.
Shoqata Amerikane e Mushkërive e quajti vendimin e së enjtes “të vonuar dhe shumë të mirëpritur” dhe përmendi “Juul” për nxitjen e pirjes të këtyre cigareve tek të rinjtë.
Cigaret elektronike u shfaqën për herë të parë në SHBA më shumë se një dekadë më parë me premtimin për t’u ofruar duhanpirësve një alternativë më pak të dëmshme. Pajisjet ngrohin një lëng me përmbajtje nikotine që tjetërsohet në avull kur thithet nga përdoruesit, duke anashkaluar shumë nga kimikatet toksike të prodhuara nga djegia e duhanit.
Por studimet kanë arritur rezultate kontradiktore nëse ato i ndihmojnë vërtet duhanpirësit të lënë duhanin. Dhe përpjekjet nga FDA-ja për të vendosur rregullore mbi produktet e këtij lloji dhe pretendimet e tyre u ngadalësuan në mënyrë të përsëritur nga lobimi i industrisë dhe interesat politike konkurruese.
Tregu i cigareve elektronike u rrit duke përfshirë qindra kompani që shesin një sërë pajisjesh dhe solucionesh nikotine me shije dhe pika të ndryshme.
Kompania “Juul” përballet me një mori hetimesh federale dhe shtetërore mbi praktikat e saj të hershme të marketingut, të cilat përfshinin shpërndarjen e produkteve falas në koncerte dhe festa të organizuara nga influencues të rinj./VOA