Fituesi i Nobelit shet medaljen 103 mln $ në ankand, fitimet për fëmijët ukrainas
Fituesi i çmimit Nobel për Paqen, gazetari rus Dmitry Muratov shiti në ankand medaljen e tij për të grumbulluar të ardhura për fëmijët ukrainas. Medalja e artë u shit në Nju Jork për 103.5 milionë dollarë. Shifra e lartë habiti vetë gazetarin.
“Në gazetë po ndiheshim të pafuqishëm për të ndihmuar, pasi lufta kishte filluar, njerëzit po vdisnin dhe vendi im është i përfshirë në gjithë këtë. Nuk dinim çfarë të bënim dhe ndjesia e të qenët i pafuqishëm për të ndihmuar, që e kemi pasur që prej 24 shkurtit, është përjetuar nga shumë njerëz”, tha Dmitry Muratov, fitues i çmimit Nobel për Paqen.
Muratov e fitoi medaljen e artë në tetor të 2021-shit për punën e bërë në redaksinë e gazetës së pavarur ruse “Novaya Gazeta”, e cila është mbyllur nga Kremlini pasi nuk ndiqte linjën editoriale të tij. Të ardhurat nga shitja do të shkojnë për fëmijët ukrainas.
Më parë, medalja më e paguar e çmimit Nobel ishte në 2014-n, kur zbuluesi i strukturës së ADN-së, James Watson e shiti atë për 4.7 milionë dollarë.