Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të martë në një takim ekspertësh shqiptarë e të huaj, me fermerët, agropërpunuesit, përfaqësues nga Shërbimi i Këshillimit dhe Qendrat e Transferimit të Teknologjive në vend, pedagogë dhe studentë nga Universiteti Bujqësor Tiranë. Kryeministri u shpreh se duhet të rritet komunikimi mes prodhuesve në vend. Ai mori shembullin e qershive, duke thënë se ka bujq që nuk i shesin dot qershitë, ndërsa të tjerë bëjnë para me to. Ai theksoi se duhet të ketë komunikim mes tyre.“Nuk ka nevojë të na dëgjojë askush ne, mjafton të shkojë të shikojë se çfarë bëjnë të tjerët. Disa fermerë dalin dhe ankohen për qershitë që nuk i shesin dot, kjo do të ishte shqetësuese nëse kështu do të ishte në të gjithë vendin. Por nuk është kështu, pasi ka të tjerë që bëjnë sukses. Cili është dallimi mes të dyve? Disa e hedhin prodhimin disa bëjnë të ardhura në të njëjtin shtet? Çfarë duhet bërë këtu? E para, ata fermerë duhet të marrin mundimin dhe të shkojnë tek ata të tjerë e t’u thonë, si e bëni ju këtë? E dyta, i takon ministrisë të krijojë kanale komunikimi”, tha Rama.