19 persona u shpallën fajtorë për terrorizëm për sulmet e Shtetit Islamik në teatrin Bataclan dhe disa zona të tjera të Parisit në nëntor të vitit 2015. Drejtuesi i gjykatës dha vendimin pas një procesi që zgjati 9 muaj.
Salah Abdeslam, i vetmi i mbijetuar i komandove kamikazë që vranë 130 njerëz dhe plagosën 350 të tjerë, u shpall fajtor për vrasje dhe tentativë vrasjeje i lidhur me një organizatë terroriste.
Ai u dënua me burgim të përjetshëm dhe pa të drejtë lirimi me kusht. Ky është dënimi më i rëndë në Francë. 18 të tjerë të akuzuar se kanë luajtur role kyçe në sulmet më të rënda të vendit në kohë paqeje u shpallën fajtorë “për të gjitha akuzat”. Vetëm 1 person u shpall i pafajshëm.
Vetëm 14 prej tyre u paraqitën në gjykatë ndërsa 6 të tjerë janë gjykuar në mungesë. Sulmet në Paris traumatizuan të gjithë opinion botëror në atë kohë. Sallat e muzikës, disa bare dhe restorante dhe perimetri i stadiumit “Stade de France” ishin vënë në shënjestër të sulmeve disa orëshe në të gjithë Parisin.
Abdeslami kishte thënë në fillim të gjyqit se ai ishte “ushtar” i Shtetit Islamik, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmet. Ai u kërkoi falje viktimave dhe tha gjatë gjyqit se kishte zgjedhur në momentin e fundit të mos shpërthente jelekun e tij me eksploziv.
Por gjykata tha se jeleku i tij shpërthyes nuk funksionoi. Salah Abdeslam nuk reagoi pasi gjykata i dha dënimin. Që nga viti 1994 kur Franca legalizoi dënimin me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi më kusht, Abdeslam është personi i pestë që dënohet në këtë shtet me këtë vendim.