Grevat, vonesat dhe mungesa e stafit po e kthejnë transportin ajror evropian në ferr për këtë verë. Shtetasi belg Daniel Rothier është mes viktimave. Udhëtimi i tij në Verona më herët gjatë muajit u kthye në makth, kur fluturimi i tij u anulua pa asnjë sqarim.
“Më 7 qershor mësuam përmes email-it se fluturimi i 8 qershorit ishte anuluar. Zgjidhja e vetme që u propozua ishte të gjenim një vend në avionin e 10 qershorit, dy ditë më vonë. I kërkuam hotelit ku po qëndronim nëse mund të na strehonte më gjatë. Pas disa përpjekjeve ia arritëm, por jo me të njëjtin çmim. Avioni ishte i “Ryanair”. Nuk na dhanë asnjë sqarim. U përpoqëm t’i kontaktonim me email dhe telefon, por nuk morëm përgjigje”, thotë Daniel Rottier, pasagjer.
Tani Daniel pretendon kompensim për shpenzimet shtesë. Në bazë të rregullave të BE-së, nëse fluturimi anulohet, linja ajrore duhet t’u japë udhëtarëve një rimbursim, ose duhet t’u riorganizojë fluturimin qoftë me një linjë ajrore tjetër. Gjithashtu, të dëmtuarit i takon edhe kompensimi shtesë për shpenzimet e qëndrimit.
Por organizatat për konsumatorët denoncojnë se kompanitë ajrore i lënë pasagjerët në terr informativ dhe kërkojnë që kompensimi të bëhet automatik.
“Nëse ka një stuhi, apo një grevë nga stafi i aeroportit, që është një rrethanë e jashtëzakonshme, ju nuk e keni të drejtën e kompensimit. Ndërsa në situata të tjera, po. Vlera e këtij kompensimi ndryshon në bazë të distancës së fluturimit”, shprehet Steven Berger, nga Organizata Evropiane e Konsumatorëve. “Ryanair” deklaron se i informon pasagjerët për të drejtat e tyre, por organizatat civile pretendojnë se shumica e kompanive dështojnë t’i bëjnë ato të qarta.
Problemi ka gjasa të përkeqësohet pasi grupet ndërkombëtare po anulojnë mijëra fluturime në prag të verës. Pasagjerët këshillohen të mbajnë të gjitha faturat e tyre dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, çfarëdo që të ndodhë.