Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot ditën më të rëndësishme në historinë e tyre, Ditën e Pavarësisë. 4 Korriku shënon këtë vit 246-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në 4 korrik të vitit 1776 delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan.
Përpara vitit 1776, të 13 kolonitë i nënshtroheshin ligjit britanik dhe duhej të paguanin detyrime të larta për importin e mallrave si sheqeri, kafeja, çaji ose pijet alkoolike. Ky skenar krijoi një pakënaqësi në rritje për kurorën britanike, duke çuar në këtë ngjarje historike. Festimi i 4 korrikut nderon nënshkrimin e Deklaratës Amerikane të Pavarësisë nga baballarët themelues të SHBA-së. Diplomati i njohur i shtetit, Thomas Jefferson së bashku me filozofin politik Benjamin Franklin ishin ndër emrat e shumtë që hoqën dorë nga sundimi britanik dhe i shpallën kolonitë e Amerikës së Veriut si shtete të lira.