Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë po merr pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së që po zhvillon punimet në Britaninë e Madhe.
Kryetari i këtij delegacioni, Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm Roberto Montella.
Në një postim në Facebook pas takimit, Gjiknuri tha se fokusi i punimeve të Asamblesë Parlamentare janë rezolutat për dënimin e agresionit rus në Ukrainë dhe çështjet e forcimit të sigurisë në hapësirën e vendeve anëtare të OSBE-së.
“Në cilësinë e Kryetarit të delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë mora pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së e cila po zhvillon punimet në Birmingam. Fokusi i mbledhjes rezolutat për dënimin e agresionit rus në Ukrainë dhe çështjet e forcimit të sigurisë në hapësirën e vendeve anëtare të OSBE. Gjatë punimeve pata kënaqësinë të takoj Sekretarin e Përgjithshëm Roberto Montella si dhe kryesuesit e delegacioneve nga vende të tjera me të cilët diskutuam forcimin e bashkëpunimit dypalësh”, shkroi Gjiknuri.
Asambleja Parlamentare e OSBE-së ka nisur punimet me 3 korrik në Birmingham të Mbretërisë së Bashkuar në sesionin e 29-të, përfundimet e të cilës do të publikohen më 6 korrik.