Vala e re e koronavirusit që ka sjellë një rritje të numrit të infektimeve dhe viktimave në vend pritet të përfundojë brenda muajit korrik.Epidemiologu Artan Simaku nga Instituti i Shëndetit Publik thotë se rastet e konfirmuara pozitive janë infektime për herë të parë.
“Kulmi i kësaj vale pritet brenda muajit korrik dhe rënia e numrit të rasteve parashikohet nga fundi i muajit korrik, pasi zakonisht vala zgjat rreth 4 javë dhe pastaj fillon trendi në rënie. Janë infektime, pra nuk ka raste të riinfektimit”,– thotë epidemiologu Artan Simaku.
Ekspertët këmbëngulin se vaksinimi është mënyra e vetme që kjo valë të kalojë me sa më pak komplikacione dhe fatalitete.
“Momentalisht janë të prekur në mënyrë të njëtrajtshme të gjitha grupmoshat. Duhet të vaksinohen të gjitha kategoritë për të ulur transmetueshmërinë dhe për të parandaluar pasojat afatgjata të Covidit”.
Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, rreth 49% e popullatës së përgjithshme kanë marrë të paktën 1 dozë të vaksinës anti-Covid, afro 46% janë vaksinuar me të dyja dozat dhe vetëm 10% e popullatës ka injektuar edhe dozën e tretë.