Bota po kalon kohë të vështira sa i takon sigurisë ushqimore. Sipas një raporti të hartuar nga 5 agjenci të OKB-së, rreth 830 milionë persona vuajtën nga uria në 2021-shin për shkak të pasojave të pandemisë dhe krizës së klimës.
Shifra u rrit në 2.3 miliardë sa i takon numrit të personave që kanë pasur vështirësi të theksuar apo të moderuar në sigurimin e ushqimit.
Sipas Organizatës për Ushqimin dhe Agrikulturën, bota po e humbet betejën kundër urisë. “Kemi parë se varfëria ekstreme është rritur ndjeshëm. Kemi humbur një dekadë në reduktimin e saj dhe kemi parë se pabarazia është rritur. Krahas këtyre, treguesit e ushqimit të njerëzve nuk po shkojnë në drejtimin e duhur”, thotë Maximo Torrero, ekonomist, FAO.
Situata është më e rëndë në Afrikë, ku 30 milionë persona përballen me urinë në pjesën perëndimore dhe atë lindore, zona që po vuajnë thatësirën më të rëndë në histori. Ndërkohë, në tërë kontinentin, 9% e popullsisë vuan nga uria dhe parashikimet për këtë vit janë shqetësuese.
Ndërsa lufta në Ukrainë ka ndërprerë zinxhirët e furnizimit dhe ka shkaktuar rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, planeti do të dështojë në qëllimin e tij për çrrënjosjen e urisë brenda 2030-s. OKB vlerëson se do të jenë rreth 670 milionë njerëzit që do të vuajnë nga uria, një shifër e ngjashme me atë të vitit 2015.