Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur protestën e organizuar nga Sali Berisha një ditë më parë.
“Manifestimi masiv paqësor i organizuar dje në Tiranë nga opozita dhe aktivistët e shoqërisë civile shqiptare ishte imazhi më i bukur i një shoqërie të gjallë dhe një demokracie në veprim. Kauzat e vërteta dhe të drejta, që u ngritën gjatë kësaj proteste, duhet të zgjojnë të gjitha institucionet pa vonesë.
Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj palëvizshmërisë së organeve të drejtësisë pas megaskandaleve korruptive, që vazhdojnë të zbulohen dhe denoncohen çdo ditë.
Nuk mund të mbulohet me asnjë fantazi varfëria e skajshme, që po i detyron shqiptarët të mërgojnë plot dëshpërim. Uroj që zëri qytetar të dëgjohet dhe kuptohet si duhet, duke nxitur llogaridhënien në të gjitha nivelet, së bashku me marrjen e përgjegjësive si detyrim ligjor dhe njëkohësisht politik.
Përshëndes gjithashtu qëndrimin e vendosur të opozitës shqiptare në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe të forcimit të bashkëpunimit rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Këto mesazhe dhe fryma paqësore që karakterizoi këtë protestë, e bëjnë Shqipërinë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse”, shkruan Meta.