Popullsia e Shqipërisë e cila po plaket me shpejtësi është duke vënë përballë sfidave institucionet e kujdesit shëndetësor dhe social për t’iu ofruar atyre një pleqëri me dinjitet. Kombet e Bashkuara në një studim të fundit që ofruan për moshën e tretë në Shqipëri, evidentuan se 60 për qind e grup moshës mbi 65 vjeç vuajnë nga një ose më shumë se një sëmundje kronike. Për këtë arsye ato konsumojnë rreth 40% të produkteve farmaceutike në vend kryesisht medikamenteve. Popullsia në moshën 60 vjeç e lart përbën rreth 60 për qind të vizitave në institucione të kujdesit parësor. Sipas OBSH-së, shpenzimet shëndetësore të Shqipërisë ishin vetëm 6.7 për qind e PBB-së në 2016-2017, por 58% e kësaj shume paguhet nga xhepat qe qytetarëve, e cila e tejkalonte pjesën e financimit publik. Kombet e Bashkuara vunë në dukje se Shqipëria aktualisht nuk ka një mekanizëm koordinimi ndërmjet kujdesit shëndetësor dhe sistemit të mbrojtjes sociale. Legjislacioni kombëtar i shëndetësisë nuk i referohet shërbimet sociale, dhe referimi në sistemin shëndetësor nuk përfshin kujdesin social.
Studimi thotë se, Shqipëria po përballet me kërkese në rritje për kujdes afatgjatë të moshave të vjetra dhe nga ana tjetër ka mungesë së potencialesh për furnizimin me kujdestarë. Vendi ynë po përballet me sfidën e sigurimit të aksesit shërbime të përballueshme dhe cilësore të kujdesit për të gjithë të moshuarit në nevojë. Bëhet fjalë për fuqi punëtore me kosto të përballueshme. Në shumë vende evropiane, përfshirë Shqipërinë, shpenzimet për kujdesin afatgjatë te të moshuarve do të rriten me shpejtësi në 30 vitet e ardhshme. OKB vë në dukje se, është e nevojshme të ndërmerret një hap proaktiv për të eksploruar të gjitha opsionet e mundshme për të krijuar një hapësirë fiskale për të financuar kujdesin afatgjatë. Në Shqipëri, bazuar në vlerësimin e zbatimit të Ligjit për Shërbimet e Kujdesit Social gjatë pesë viteve të fundit, efektshmëria e mekanizmit aktual financiar duhet rishikuar.
Edhe pse shërbimet e kujdesit social janë kompetencë administrative e njësive vendore, kapaciteti e ofrimit të shërbimeve dhe burimet financiare ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga njëra njësi administrative në tjetrën. OKB rekomandon që në procesin e decentralizimit , qeveria qendrore duhet të sigurojë akses në të gjithë vendin dhe të mbështesë komunat veçanërisht ato me kapacitete të dobëta fiskale. Disa vende si Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Japonia dhe Koreja kanë themeluar skemën e sigurimeve për kujdesin afatgjatë për të parandaluar frenimin e rritjes së shpenzimeve për kujdes në pleqëri.
Marrë nga Monitor.al