Punimet për 5 tunelet në nyjën kryesore të ish-sheshit Shqiponja dhe nënkalimit te Zona e Astirit kanë përfunduar. Në pamjet e publikuara nga kryeministri Edi Rama duket qartë se është lehtësuar ndjeshëm trafiku dhe mjetet vijojnë qarkullimin pa probleme.
“Me këtë video nga Unaza e Madhe e Tiranës, ku tanimë kanë përfunduar 5 tunelet në nyjën kryesore të ish-sheshit Shqiponja dhe nënkalimit te Zona e Astirit, falë të cilave trafiku është lehtësuar ndjeshëm si në hyrje dhe në dalje të Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Si bëhet lëvizja pas përfundimit të të gjitha tuneleve sipas projektit:
– Lëvizja e automjeteve nga autostrada (Durrës-Tiranë) në drejtim të rrugës “Dritan Hoxha” (Laprakë) dhe anasjelltas realizohen drejt në nivelin 0 të parashikuar në projekt.
– Lëvizja e automjeteve që vijnë nga autostrada (Durrës-Tiranë) në drejtim të Unazës së Madhe realizohen nëpërmjet Galerisë Nr. 5.
– Dalja nga Tirana për mjetet që vijnë nga Unaza e Madhe drejt autostradës realizohen nëpërmjet Galerisë Nr.3
– Dalja nga Tirana për mjetet që vijnë nga pjesa veriore (ish-kombinati, rruga “Josif Pashko”) drejt autostradës realizohen nëpërmjet Galerisë Nr. 4.