Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg u ndal te prezantimi i projektit për ndërtimin e bazës së NATO-s në portin e Durrësit duke e cilësuar atë një flotë detare të fjalës së fundit.
Rama kërkoi që Kosova të përfshihet në partneritetin për paqen ndërsa shtroi nevojën e një dialogu të përhershëm mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Serbinë.
“Është e padiskutueshme mbështetja jonë për sovranitetin territorial të Ukrainës, Mbështetje që është më e palëkundur se kurrë. I qëndrojmë detyrimeve që ne kemi në Ballkanin Perëndimor që të parandalojmë çdo përshkallëzim. Në kapacitetin tonë si vend aleat dhe vend kandidat për në BE do vazhdojmë rolin tonë në mbështetje të paqes rajonale dhe stabilitetit. Ndërkohë që koncepti i ri strategjik thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor për NATO besojmë se është e rëndësishme të vazhdojmë një dialog të përhershëm me vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe Serbinë. Pata njëherë shansin të them atë që kam përmendur në Samit.
Nevojën për përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe. E vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për të prezantuar ambicien tonë për të shtuar një vlerë të rëndësishme në logjistikën e aleancës tonë duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend ku mund të ndërtojmë duke pasur parasysh sfidat e kohës sonë. Është përherë kënaqësi të kthehesh këtu dhe është gjithnjë e dobishme të kthehesh me dobi të plota dhe t’i shërbesh kësaj aleance”, tha Rama.