Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektrezolutë ku kërkohet të konsiderohen të paargumentuara pretendimet e ngritura nga Dick Marty “për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë”.
Projektrezoluta është firmosur nga 11 deputetë socialist dhe i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të hartojë një raport dhe të rishikojë Rezolutën 1782 “duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”.