16 vite nga firmosja e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, ku nisi rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, 8 vite nga marrja e statusit të vendit kandidat dhe disa vite pritje, ndonjëherë edhe pa meritë, Shqipëria ndërmerr sot hapin e madh! Më në fund nisin bisedimet zyrtare në tryezë me Bashkimin Europian, vrapi i fundit drejt anëtarësimit të plotë.
Rama ndau në Facebook një shkrim me flamurin e Shqipërisë dhe të bashkimit Evropian. Shqipëria do të ulet në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar.
‘MIRËMËNGJES me kënaqësinë e me krenarinë që sot Shqipëria e të gjithëve ne, pa dallim feje, krahine, ideje, moshe a statusi social, Shqipëria e Skënderbeut, e rilindasve, e dëshmorëve të luftës, e martirëve të regjimit komunist, e studentëve të Dhjetorit ’90, Shqipëria e familjeve të zakonshme shqiptare, kudo ndodhen dhe e fëmijëve tanë kudo ku rriten me prindërit e tyre, ulet në tryezën e madhe të Europës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj’– shkroi Rama.
Delegacioni i Shqipërisë në Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të përbehet nga 25 figura të qeverisë e të administratës që janë kyç në procesin e integrimit. Delegacioni do të kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, dhe përbëhet nga figura kryesore shefja e diplomacisë Olta Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, si dhe zv.min. e drejtorët që merren me çështjen e negociatave.
Vendimi për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, u mor ditën e shtunë, pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, duke zgjidhur kështu ngërçin me Bullgarinë. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut prej kohësh, kishin mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që bllokuan integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si dhe të Shqipërisë.